Qeveria formon grup punues për vetingun, ja vendimet nga mbledhja e sotme

Aktuale

Qeveria formon grup punues për vetingun, ja vendimet nga mbledhja e sotme

Më: 22 korrik 2020 Në ora: 07:43

(E plotësuar) - Qeveria themelon një grup për projektin e kompleksit memorial Adem Jashari

Qeveria e Kosovës ka votuar pro themelimit të Komitetit ndërministror për përzgjedhjen e projektit për kompleksin Adem Jashari.

Propozimi u bë nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, derisa, ai para ministrave tregoi edhe për përbërjen e grupit.

“Shqyrtimi i propozim vendimit, për përzgjedhjen e projektit për kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz. Zyra e kryeministrit për kompleksin memorial propozon që të themelohet Komiteti Ndërministror për përzgjedhjen e projektit në këtë përbërje: Kryesues: Besnik Tahiri, anëtar, ministrja e Kulturës ose zv.ministri, Ministri i Tregtisë, Infrastrukturës, përfaqësues nga familja Jashari, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e komplekseve memoriale, drejtori i muzeut, drejtori i institutit të historisë, drejtori i institutit albanologjik, Bekim Jashari kryetar i Skenderajt, përfaqësues nga shoqata e arkitektëve dhe nga organizata e veteranëve”, ka thënë ai.

Zv.kryeministri i parë, Besnik Tahiri ka kërkuar që në grup të jenë anëtarë vetëm ministrat, derisa, ka kërkuar që nesër në ora 14:00 të bëhet konstituimi i grupit.

Qeveria formon grup punues për vetingun, raportin e dorëzojnë në tetor

Qeveria e Kosovës ka votuar me shumicë të votave për themelimin e grupit punues që do të hartojë një raport përfundimtar për Vetingun.

“Grupi i  propozuar është gjithëpërfshirës, pasi që anëtarë janë të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë, përfshirë partnerët tanë strategjik”, tha Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.

“Përfaqësues nga grupi i eskpertëve, këshilli gjyqësor dhe prokurorial, zyra e kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Agjencia kundër Korrupsiont, Policia, AKI, dhe nga Oda e Avokatëve, shoqëria civile dhe ekspertë tjerë”, ka thënë Selimi duke bërë të ditur se përfaqësues do të ketë edhe nga ambasadat.

“Deri në muajin tetor ky grup do të përgatisë raportin përfundimtar mbi skenarët e reformës në sistemit të drejtësisë. Raporti i grupit punues do të shfrytëzohet si bazë me të cilën qeveria do të procedojë tutje”, ka shtuar ai.

Qeveria heq nga rendi i ditës pikën për shtesat për personelin shëndetësor

Punëtorët shëndetësorë  sot nuk morën lajm të mirë nga qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen që u mbajt sot, qeveria largoi nga rendi i ditës propozim-vendimin për aprovimin e shtesave mujore për personelin shëndetësor për angazhimin shtesë për muajin korrik dhe gusht.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami tha se tërheqja është bërë për shkak se duhet të rishikohet dhe përcaktohet qartë se kush do të jetë përfitues i kësaj shtese.

Ajo tha se shtesat do t’i japin nga muaji tjetër në formë retroaktive për muajin korrik dhe gusht.

”Ne kemi bërë një propozim-vendim por duhet ta përcaktojmë qartë kush do të jetë përfitues i kësaj shtese. Pra nga muaji tjetër shtesat të paguhen retroaktiv për korrikun dhe gushtin”, tha ajo.

Kosova merr edhe 48 milionë euro kredi për menaxhimin e krizës ekonomike

Qeveria ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Projektit Emergjent COVID-19 për Kosovën.

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka thënë se MF-ja ka arritur dakoordim me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim që kredia të kap vlerën prej 48 milionë euro.

“Me qëllim të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia MF-ja ka arritur darkoodim me Asociacion Ndërkombëtar”.

“Marrëveshja financiare ka vlerën totale të kredisë 48 milionë euro”.

Hoti njofton kabinetin qeveritar se deri në cilën fazë kanë arritur bisedimet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar kabinetin qeveritar për Samitin e Parisit dhe takimin në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, që u mbajtën javën e kaluar.

Hoti më tej ka thënë se në këto takime kanë prezantuar qëndrimin e Kosovës për zgjidhjen përfundimtare për personat e pagjetur, si dhe kanë diskutuar edhe për bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve

“Ministri i Tregtisë dhe Industrisë ka marrë obligimet për të përgatitur një raport të detajuar për të gjitha pengesat që kemi në bashkëpunimin ekomomik me Serbinë dhe pres që deri të premten ta kemi këtë raport në gjuhën shqipe dhe angleze për të proceduar më tej. Deri në këtë fazë kanë arritur bisedimet në kuadër të procesit të ri të dialogut”, tha Hoti.

Hoti u zotua para kabinetit qeveritar se sa herë të kenë mbledhje do t’i njoftoj për procesin e dialogut. 

***

Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot.

Në një njoftim të lëshuar nga Kryeministria bëhet e ditur se mbledhja e Qeverisë do të fillojë në ora 11:00.

“Agjenda e Kryeministrit të Republikës së Kosovës e datës 22.7.2020. Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftim pa dhënë detaje rreth pikave që do të diskutohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat