Kundërshtohet ndërtimi i xhamisë në Prishtinë - detajet se çfarë ndodhi gjatë protestës

Aktuale

Kundërshtohet ndërtimi i xhamisë në Prishtinë - detajet se çfarë ndodhi gjatë protestës

Më: 22 korrik 2020 Në ora: 07:54
Pamje nga protesta

(E plotësuar) - Në Prishtinë sot një numër i vogël i qytetarëve kanë protestuar kundër ndërtimit të xhamisë së madhe në Prishtinë. Ndonëse disa protestues thoshin se nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë, por kundër modelit që është përzgjedhur, disa protestues të tjerë ishin kundër ndërtimit në atë vend.

Në të njëjtën kohë është zhvilluar edhe një protestë nga disa qytetarë, të cilët protestonin kundër qytetarëve që e kundërshtonin ndërtimin e xhamisë së madhe në kryeqytet.

Fatime Ahmeti, banore në lagjen “Dardania”, tha se është kundër ndërtimit të xhamisë, derisa potencoi se si lagje kanë nevojë për çerdhe dhe për jetë kulturore.

Ajo tha se do të ankohet edhe në Komunën e Prishtinës rreth ndërtimit të kësaj xhamie.

Ahmeti: “Dardania” ka nevojë për jetë kulturore

“‘Dardania’ ka nevojë për jetë kulturore, fëmijët tanë nuk kanë ku të luajnë, nuk kemi parkingje, ju shkoni në ‘Dardani’ këqyrni, se unë jam që 42 vjet në ‘Dardani’, gati jam banorja më e vjetër e ‘Dardanisë’, nuk kemi kinema, janë mbush lokale na e kanë uzurpuar edhe gjelbërimin qysh po donë edhe xhamia të na uzurpojnë. Unë jam kundër, unë po them sot do të shkoj në bashkësi lokale, do t’i tuboj popullatën e ‘Dardanisë’, nuk do të ndërtohet xhamia”, tha ajo.

Një qytetar tjetër, tha se banorët e lagjes së “Ulpianës” dhe të “Dardanisë” do të kenë probleme për shkak të zhurmës nga xhamia.

Qytetari: Ndërtimi i xhamisë do të shkaktojë kokëçarje

“Ndërtimi i kësaj xhamie me katër minare do t’i shkaktojë kokëçarje të madhe kësaj lagje ‘Ulpianës’ dhe ‘Dardanisë’, siç e kanë zakon këta t’ia lëshojnë zërin lartë. Këtu banorët në orën 04:00 në mëngjes do të zgjohen dhe fëmijët në djep do të trishtohen”, tha ai.

Por, kundër këtyre qytetarëve që protestonin kishin dal disa qytetarë të tjerë, të cilët e quanin të pakuptimtë kundërshtimin që besimtarët myslimanë të kenë një objekt të tyre.

Qytetari Blerim Ejupi, tha se në Kosovë janë mbi 95 përqind e popullatës myslimane dhe është e drejtë elementare që besimtarët të kenë xhaminë e tyre.

Ejupi: Është e drejtë elementare të ketë xhami

“Ia bëjmë me dije atij komandantit se mbi 40 hoxhallarë janë dëshmorë të kombit që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës, i kanë mbyllur xhamitë e tyre, janë dalë në front e kanë dhënë jetën. E dimë që serbët i kanë shkatërruar mbi 200 xhamia në Kosovë, është e pakuptimtë nëse një komandant i UÇK-së del dhe pretendon se është kundër ndërtimit të xhamisë. Ai po bashkëngjitet realisht me ata që kanë qenë më herët, me shkijet (serbët), se është kundër vlerës së popullit. Si popull i Kosovës e dimë që jemi mbi 95 përqind myslimanë, është e drejtë elementare e secilit me pas tempullin, xhaminë e tyre edhe besimet e tjera me i pas objektet e tyre dhe kjo është e mbrojtur edhe me Kushtetutën e Kosovës. Është e pakuptimtë pas 20 vitesh një person me dal me thirr protestë me një moto të tillë, është shumë e pakuptimtë. Si qytetar po them edhe një herë nuk e pata lehtë me vesh prapë emblemën (e UÇK-së) edhe me dal këtu për të kundërshtuar atë për shkak se ai në emër të tij ka fol, ai duhet me ditë që ne luftën e kemi bërë për t’i mbrojtur vlerat e këtij populli, e një prej vlerave kolosale të këtij populli është edhe feja e këtij populli”, tha ai.

Kurse, qytetari Sadat Islami, tha se është e papranueshme që të kundërshtohet ndërtimi i xhamisë për komunitetin mysliman.

Islami: Mos të luajnë me ndjenjat e myslimanëve

“Kjo është selam për qeveritarët dhe për të gjithë të tjerët mos të luajnë me ndjenjat e myslimanëve, nëse këta kanë marrë fonde ne e dimë shumë mirë. Nëse kjo flitet për terror ose për diçka unë besoj që terrori është ky, se nuk ka terror në botë më i madh sesa të cenohet e drejta e besimit. [...] U ndërtua katedralja, shkollë u prish është çështje politike, këtu çka lypet. U bë Ambasada e Amerikës u bë në formën qysh deshën vet me e bë, pse nuk e bën si kullat e shqiptarëve, mbasi po thirren në shqiptarizëm, nëse dikush dëshiron të thirret në nacionalitet unë qetu shqiptar nuk po shoh, se shqiptarët janë ose me mustaqe ose me plis, dhe gratë me ‘zavjaqa’ dhe me kule, po është e drejta e juaj ecni përpara. Ne po e lypim të drejtën tonë, kjo xhami do të ndërtohet se që disa herë ndalet, është fatkeqësi prej atij që thirret prijës e që unë jam kundër edhe tij që është Naim Terrnava, se ai me kanë që e mbron çështjen e vendit tonë edhe të drejtat e besimtarëve ne nuk kishim me heq kështu. Cenohet e drejta e shamisë, e xhamisë ”, tha ai.

Ai tha se nëse ndërpritet ndërtimi i xhamisë ai personalisht do të jetë në gjendje të flijohet, siç tha për Zotin dhe shtëpinë e tij.

Islami: Me u flijua për Zotin për shtëpinë e tij

“Nëse ka kundër arkitekturës së xhamisë myslimanët e këtij vendi që ndoshta unë shumë vonë jam inkuadruar e kanë lyp me pas vend ku mos me i rrok dielli, shiu dhe bora, se besimtarët që janë shumicë falen në tokë dhe bllokohet edhe rruga. Nuk duam pamje, mund të falemi edhe në dhe’, vetëm të mos na rrok shiu dhe mos të na rrok bora... Kush me e ndal, shtrohet pyetja kush me e ndal. Unë po e bëj pyetje nëse shteti a ka dhënë leje për t’u dnërtuar, a nuk po del në shesh se nga ana e brendshme e mbrojnë ligjin dhe demokracinë dhe thonë ne kemi dhënë leje, ndërsa ju këtu jeni ata argatët e tyre që me propaganda thoni se ne e ndalim, se ai nuk e ka guximin me thënë se unë e ndali. Nuk jemi për dhunë as për terror, porse dihet mirë se nëse ndërpritet xhamia nuk do të jetë kështu paqësore, nuk është kërcënim ky as kurrgjë porse jemi në gjendje unë për vete po flas... Nëse këta hyjnë me dhunë kam edhe masa që i ndërmarr, kaq mund të bëj unë prej vetes. Të flijohem për Zotin, për shtëpinë e tij”, tha ai.

Edhe qytetari Kenan Nuhiu, tha se për ndërtimin e xhamisë kanë të drejtë të japin mendimin e vet vetëm besimtarët.

Nuhiu: Ne ndërtojmë xhaminë si të duam

“Ne ndërtojmë xhamia si të duam edhe në çfarë stili duam, nuk jeni ju as kurrkush, shkoni në Manastir të Deçanit thoni 40 hektarë të popullatës mos na i merrni, atyre protestojuni. Nuk mundeni të na mësoni. 40 hektarë në Manastir të Deçanit nuk proteston kurrkush. 95 përqind besimtarë çohesh i kundërshton, në kampusin universitar është kisha e Millosheviqit kurrkush nuk proteston, midis fakultetit, katedralja. Nuk jemi kundër katedrales, kushdo e ka të drejtën e vet, u prish shkolla më e vjetër në Prishtinë nuk keni bë asnjë protestë, ku çohet ky tash për të na mësuar se çfarë stili qysh të duket (xhamia). Kundër serbëve heshtim, nuk mundesh të kundërshtosh stilin, nuk jemi na. A i keni nxjerr paratë e juaja prej xhepit. Për xhami vetëm besimtarët kanë të drejtë me dhënë mendimin e vet, ata që nuk e qesin kryet në sexhde nuk kanë të drejtë”, tha ai.

***

Ka përfunduar protesta kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, e cila ishte organizuar nga ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Binak Gashi.

Në protestë ka pasur mospajtime mes dy grupeve të protestuesve, një pjesë e protestuesve kanë kundërshtuar ndërtimin e kësaj xhamie ndërkaq një pjesë tjetër e qytetarëve kanë thënë se xhamia duhet të ndërtohet.

Protesta kishte filluar rreth orës 11:00, ndërsa protestuesit ishin të pajisur me maska mbrojtëse ndaj COVID-19.

Gjatë kohës sa u zhvillua protesta, një numër i konsiderueshëm i policëve kanë qëndruar në hyrje të vendit ku tashmë kanë filluar punimet për xhaminë.

Ndryshe, para disa ditësh, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava ka thënë se për një kohë të shkurtër do të përfundojë ndërtimi i xhamisë.

Projekti parashihet të kushtojë mbi 30 milionë euro dhe është i financuar nga Bashkësia Islame e Turqisë.

Ndërtimi i xhamisë parashihet të zgjasë rreth tri vite nga koha e fillimit të realizimit të projektit.

Image

Tensione në protestën kundër ndërtimit të xhamisë: A i keni nxjerrë paret e juve prej xhepi?

 Po vazhdon protesta kundër xhamisë së madhe në Prishtinë, teksa para pak minutash ka pasur edhe tensionim të situatës.

Një qytetar kishte dalur për t’i kundërshtuar protestuesit që ishin mbledhur në vendin ku është vënë gurthemeli i kësaj xhamie.

Ai iu drejtua atyre duke iu thënë se po e kundërshtojnë shumicën islame në Kosovë.

Madje, ai tha se ata që nuk janë besimtarë, s’mund të dalin kundër një objekti fetar.

“95 % besimtarë, qohesh i kundërshton. U prish shkolla ma e vjetër në Prishtinë, s’keni protestu. Tash jeni qu folni për stile. Unë kam dal me i kundërshtu kta, që kanë dalë me e kundërshtu xhaminë. A i keni nxjerrë paret e juve prej gjepi. Ata që nuk e qesin krytë në sexhde s’kanë drejtë me ba propagandë”, iu drejtua ky qytetar organizatorëve të protestës.

Image

***

Një person ka dalë te vendi ku pritet te ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, duke kundërshtuar protestën që është paralajmëruar për në ora 11:00.

Ai iu është drejtuar policisë dhe gazetarëve që momentalisht janë duke qëndruar në vend të ngjarjes.

“Propaganda e qytetit, këta janë ata që bajnë sihër edhe maxhi, jeni duke ma cënu të drejtën tem”, thotë ai.

“Normal që bohna terrorist, ku janë të drejtat e njerit, çka është ky s’është shqiptarizëm, ky janë kulet ku janë tirqet, jeni bo krejt francuza”, ka thënë ky qytetar.

I njejti shton se para se të dilte për të u munduar që të ndalojë protestën është përshëndetur me gruan dhe fëmijët.

“Sot jam ardh qetu, përndryshe jam i përgatit me dekë. Nuk jam ardhë me shit fall, po boll osht boll, jam përshëndet me gru edhe me fminë jam ardhë për qet punë. Unë rri qetu u kry ky muhabet”, shtoi i njëjti.

***

Në Prishtinë po mbahet protestë kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe.

Protesta po mbahet pikërisht në lokacionin ku edhe është vënë gurthemeli i ndërtimit të saj, teksa aty janë vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës.

Protesta është organizuar në Facebook nga Binak Gashi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë pjesë e OVL-së së UÇK-së.

Image

Gashi ka thënë se protesta do të mbahet pikërisht në lokacionin ku ka filluar të ndërtohet xhamia.

“Këshilli organizativ njofton se me datë 22. 07. 2020, (e mërkurë), ora 11:00, organizohet protestë kundër ndërtimit të kësaj xhamie pikërisht në lokacionin ku kanë filluar punimet. Pjesëmarrësit të jenë të pajisur me masat antikovid”, ka njoftuar Binak Gashi në Facebook.

Ai ka kritikuar faktin se xhamia është e financuar nga Turqia, derisa ka thënë se Kosova nuk është provincë e Turqisë por “histori e Ilirisë që nga koha pellazge”. 

****

Sot në ora 11:00 do të protestohet kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Protesta është paralajmëruar në Facebook nga Binak Gashi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë pjesë e OVL-së së UÇK-së.

Gashi ka thënë se protesta do të mbahet pikërisht në lokacionin ku ka filluar të ndërtohet xhamia, në afërsi të objektit qendror të Telekomit të Kosovës.

“Këshilli organizativ njofton se me datë 22. 07. 2020, (e mërkurë), ora 11:00, organizohet protestë kundër ndërtimit të kësaj xhamie pikërisht në lokacionin ku kanë filluar punimet. Pjesëmarrësit të jenë të pajisur me masat antikovid”, ka njoftuar Binak Gashi në Facebook.

Ai ka kritikuar faktin se xhamia është e financuar nga Turqia, derisa ka thënë se Kosova nuk është provincë e Turqisë por “histori e Ilirisë që nga koha pellazge”.

“Fillimi i punimeve për këtë xhami ka ndodhur me 16 korrik si koincidencë e përvjetorit të puçit ushtarak në Turqi, tregon atak direkt kundër Pavarësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj të heshtura”, ka thënë veterani i UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat