Reka: Sot dhjetë vjet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, konfirmoi legalitetin e pavarësisë së Kosovës

Aktuale

Reka: Sot dhjetë vjet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, konfirmoi legalitetin e pavarësisë së Kosovës

Nga: A.SH Më: 22 korrik 2020 Në ora: 08:37
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Sot bëhen 10 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Ish- ministri i Integrimeve, Blerim Reka, me këtë rast ka thënë se, 10 vite më pare kjo gjykatë konfirmoi legalitetin e pavarësisë së Kosovës.

“GJND-ja, legalizoi ndërkombëtarisht shtetësinë e Kosovës, duke interpretuar pozitivisht Rezolutën 1244/99: jo si pengesë, por si mundësi për sovranizimin e Kosovës”, shkruan Reka në Facebook.

Postimi në Facebook:

GJND: dhjetë vite të legalizimit të pavarësisë së Kosovës

Sot dhjetë vjet, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, konfirmoi legalitetin e pavarësisë së Kosovës. Organi gjyqësor i OKB-së, e tha atë që dihej: pavarësia e Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare. GJND-ja, legalizoi ndërkombëtarisht shtetësinë e Kosovës, duke interpretuar pozitivisht Rezolutën 1244/99: jo si pengesë, por si mundësi për sovranizimin e Kosovës. Instanca gjyqësore e Kombeve të Bashkuara interpretoi drejtë normën ndërkombëtare; jo ashtu siç priste inciuesi i këtij mendimi (Serbia) e as si patroni i saj politik (Rusia).

Republika e Kosovës e pati kartën e artë në betejën ndërkombëtare të njohjeve, por nuk e shfrytëzoi. Në vend që diplomacia kosovare, këtë mendim të GJND-së, ta maksimalizonte si argument suprem juridik ndërkombëtar, ajo pranoi një dialog, që relativizoi mendimin e GJND-së. Dialogu, i cili filloi midis dy shteteve, e gati se nuk përfundoi për statusin e njerit trej tyre! Përkundër një mendimi të tillë të qartë të GJND-së, fatëkeqësisht, ishte pranuar edhe “fusnota”, edhe negociatat asimetrike me Serbinë, e gati edhe koncesione territoriale.

Tetë vite të dialogut me Serbinë e nxorrën në plan të dytë këtë mendim të GJND-së dhe inauguruan negociata midis të pabarabartëve, ku Serbia përsëriste se “nuk e njeh Republikën e Kosovës” edhepse mendimi i kërkuar prej saj nga GJND-ja, nuk e kontestonte legalitetin ndërkombëtar të saj.

Në vend që pas mendimit të GJND-së, të shumëfishoheshin njohjet ndërkombëtare, ato filluan të zbehen e të revokoheshin, sepse diplomacia serbe relativizoi këtë mendim gjyqësor me ofenzivën kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

Derisa Serbia paralelisht me dialogimin me Kosovën, lobonte ndërkombëtarisht për ç’njohje; Kosova vetëm dialogonte, por nuk loboi për njohje. Nga 12 njohje një vit pas GJND-së, në 2018 Kosovën e njohu vetëm 1 shtet! Një dekadë e humbur, përkundër legalizimit ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat