Paralajmërohet rrëzimi i shpejtë i Qeverisë Hoti

Aktuale

Paralajmërohet rrëzimi i shpejtë i Qeverisë Hoti

Më: 22 korrik 2020 Në ora: 15:41
Qeveria e Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi që nga marsi i këtij vitit i doli goxha punë për rrëzimin e Qeverisë Kurti dhe formimin e asaj Hoti. U mundua shumë, aq sa u deshtë të u shkojë deputetëve edhe në shtëpi që t’i bind ta votojnë Hotin për kryeministër.

Por si duket kohëve të fundit kryeministri Avduallah Hoti, nuk i ka shkuar shumë për qefi planeve të presidentit Thaçi, andaj edhe nga zyra e tij erdhën kritika të rënda  në drejtim të shefit të ekzekutivit.

Ishte këshilltari i presidentit, Adil Behramaj që tha se Hoti ka shkuar në Bruksel pa platformë të dialogut, pa transparencë, pa Grupin e Ekspertëve, si dhe pa koordinim dhe pëlqim të partnerëve qeverisës.  Sipas tij, Hoti nuk mund të përfaqësojë LDK-në e lëre më Kosovën.

Po ashtu Behramaj ka vazhduar kritikat ndaj Hotit, duke thënë se pas publikimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale ai nuk është deklaruar për asnjë fjalë të vetme ndaj presidentit.

Këto kritika në drejtim të Hotit nga këshilltari i  Thaçit, nuk gjeten përgjigje nga ana e kryeministrëisë përveç një reagimi nga ministrja e Jashtme, Meliza Haradiana-Stublla, që tha që e mbështet shefin e saj në procesin e dialogut.

Me kritika të ashpra për shkuarjen e Hotit në Bruksel u morë edhe PDK-ja e cila këtë herë u mundua të bëjë rolin e opozitës duke e kundërshtuar pjesëmarrjen e kryeministrit në dialog pasi nuk ka konsensus të brendshëm për ta përfaqësuar Kosovën.

Qeveria Hoti që nga formimi i saj ka qenë e dobët me numra në Kuvend andaj edhe një iniciativë për mocion mosbesimi ndaj saj edhe mund të bëhet nëse do kishte një nismë të tillë.

Por a do të kemi një rrëzim të Hoti? - Sipas njohësve të politikës, kjo qeveri më shumë do të bjerë për shkak të mos suksesit të saj.

Është analisti Blerim Burjani që i tha Syrit se Qeveria Hoti edhe ashtu me këtë përbërje nuk premton ndonjë sukses e aq më tepër ta përmbyllë dialogun pa involvimin e Haradinajt, Limajt e Veselit.

“Mendoj se kjo qeveri me këtë përbërje dhe me votat që ka në Kuvend nuk premton sukses, përbërja e saj me plotë njerëz jokompetent për dikastere ministrore e pa ministra adekuat siç është rasti i MPJ-së nuk premton shumë. Është qeveri e dobët e ritheksojë pa numra dhe pa njerëz kompetent nëpër fusha. Pa involvimin e Ramushit, Limajt dhe Veselit, procesi i dialogut nuk përmbyllet. Dialogu i rikthyer me ketë agjendë nuk do të sjellë kurrfarë përfundimi. Pra dialogu mund të shkoj drejt dështimit sërish, BE e pa aftë për të zgjidhe një normalizim të raporteve në mes dy vendeve. Jam i dëshpëruar që BE nuk po arrin dot të i jep fund dialogut por jo atë ta udhëheq dhe mos t’i dihet fundi”, tha ai.

Kurse politologu Gurakuç Kuçi, thotë se kjo qeveri do të bjerë pasi SHBA-të do ta kërkojnë në gjë të tillë, ai jep sqarime pse mendon kështu.

“Plani i Thaçit dhe i gjithë kastës së vjetër politike realisht ka dështuar. Rikthimi i fuqishëm në pushtet, forcimi i radhëve të uzurpokracisë dhe lojërat politike të uzurpimit të komplet shtetit nga Thaçi dhe kasta e vjetër u panë alarmuese nga SHBA-ja. Kjo shtyri këta të fundit së bashku me BE-në që të reagojnë dhe madje në deklaratën e SHBA-së pas publikimit të aktakuzës nga prokuroria speciale ndaj Thaçit dhe Veselit ndërmjet rreshtave lexojmë kërkesën e tyre për shtet ligjor. Mirëpo, tani është krijuar një hendek disa mujor për qeverisjen e tanishme ku gjitha partitë në koalicion po shfrytëzojnë në maksimum hapësirën për korrupsion ndërsa LDK-ja me kryeministrin e saj po shkon edhe një hap më tutje. LDK-ja po tenton bashkë me Hotin që nëpërmjet BE-së të arrijnë marrëveshje me Serbinë duke e mbuluar të kaluarën e Serbisë vetëm me gjetjen e të zhdukurve dhe të marrë një njohje që nuk tejkalon njohjen që ofron Kina ndaj Tajvanit dhe këtë ta quaj normalizim marrëdhëniesh. Këtë po mundohet ta bëjë duke zënë në amulli të zgjedhjeve SHBA-në dhe pandemisë dhe ta vërë para aktit të kryer (fait accompli). Nga kjo rrjedh që interesi për korrupsion i koalicionit nuk përbën problem për veprimet tjera të Qeverisë. Andaj, rrëzimi i Qeverisë e cila nuk është e dalë nga morali dhe kultura politike demokratike dhe burim i drejtpërdrejt i popullit nuk përbën ndonjë problem për kastën e vjetër përderisa ruajnë stabilitetin e kapjes së shtetit. Qeveria Hoti do të rrëzohet nga SHBA-ja dhe këta të fundit tashmë Presidente e shohin Vjosa Osmanin, ashtu siç u tregua edhe me 4 korrik, ku SHBA-ja flamurin amerikan nuk e ngriti me presidentin por me kryeparlamentaren", tha Kuçi.

 Edhe Burjani thotë se Qeveria Hoti mund të rrëzohet, por kjo do të vjen nga mossuksesi në dialog.

“Qeveria Hoti mund ta rrëzojë mossuksesi në dialog apo ndonjë tentativë të bllokimit të ndonjë marrëveshje e jo interesi për Kosovën, me një fjalë kjo qeveri ngjason në eksperiment” – përfundon Burjani.

Ndërsa Kuçi shkon më përtej  rrëzimit të Qeverisë Hoti, ai i bën një analizë veprimeve të Thaçit kur i është cenuar interesi i tij politik.

“Nëse dikush mendon që Thaçi është një proamerikan dhe properëndimor i paluajtshëm duhet vetëm të kujtoj se si me 2010 kishte arrestuar spiunët gjerman dhe kishte krijuar pompozitet publik sikur të ishin ata të ndonjë vendi armik. Pastaj kur perëndimi ia kishte mbyllur dyert atij, ai bëri hapjen me lindjen, gjegjësisht me Erdoganin duke i ofruar atij hapësirë veprimi dhe ndikimi sa të dojë. Po ashtu edhe refuzimi i Thaçit ndaj këshillës së Hillari Klintonit për privatizimin e PTK-së”, thekson ai.

Këto ‘çarje’ të raporteve mes Presidentit e Kryeministrit erdhën pasi u publikuan propozim aktakuza ndaj Thaçit e Veselit nga ana e Prokurorit Special. Duke u thelluar edhe më shumë me pjesëmarrjen e Hotit në Bruksel ku u takua me Vuçiqin që në këtë formë u zhbllokua dialogu që ishte stopuar tash e dy vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat