Haziri e sulmon sërish Hotin, e quan “katastrofal” menaxhimin e tij me pandeminë

Aktuale

Haziri e sulmon sërish Hotin, e quan “katastrofal” menaxhimin e tij me pandeminë

Më: 29 korrik 2020 Në ora: 11:23
Lutfi Haziri dhe Avdullah Hoti

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri po e cilëson si katastrofal menaxhimin e pandemisë nga kryeministri Avdullah Hoti. Haziri ka folur shkurt mbrëmë, por shpërthimin e kishte dy ditë më herët kur kishte thënë se nuk është kryetar që i numëron të vdekurit.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri në vazhdimësi ka kritikuar qasjen e qeverisë Hoti karshi situatës me koronavirus në vend.

Haziri thotë se masat e qeverisë nuk janë në koordinim me komunat dhe kryetarët janë ngarkuar me detyra për të cilat nuk kanë kapacitete.

I pari i komunës së Gjilanit është shprehur aspak i kënaqur me qeverinë që udhëhiqet nga bashkëpartiaku Avdullah Hoti.

“Katastrofal”, është përgjigjur shkurt Haziri në pyetjen se si e vlerëson punën e qeverisë Hoti në menaxhimin e pandemisë.

Një ditë më herët Haziri kishte deklaruar se nuk është kryetar për të numëruar kufoma por për t’i evituar ato.

Haziri kishte kërkuar që të hiqet ora policore në komunën që drejton por me vendimin e mbrëmshëm të qeverisë për masat e reja, kjo gjë nuk ka ndodhur.

Ndërkaq mbrëmë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit kanë vdekur tre persona, dy nga të konfirmuar me koronavirus.

Nga 446 raste të konfirmuara në komunën e Gjilanit, 149 raste janë aktive ndërkaq 283 janë shëruar.

Brenda katër muajve kanë vdekur 14 persona në këtë komunë. Qeveria Hoti mbrëmë ka marrë masa të reja kundër pandemisë  për të cilat ka pasur dallime edhe brenda koalicionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat