Reagon Arben Gashi pas publikimit të videos, tregon pse e rrethuan deputetin e LVV-së

Aktuale

Reagon Arben Gashi pas publikimit të videos, tregon pse e rrethuan deputetin e LVV-së

Nga: E.B Më: 29 korrik 2020 Në ora: 17:40
Foto nga video

Është siguruar videon nga kamerat e sigurisë në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku të martën pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme pati një përleshje.

Nga pamje shihet se deputetët e LDK-së Arben Gashi, Kujtim Shala e Doruntina Maloku presin te dera e sallës së mbledhjes. Me të dalë nga aty Gazmend Gjyshinca i Vetëvendosjes, pamjet tregojnë që rrethohet nga ana e deputetëve të LDK-së. Po ashtu, shihet kur Gjyshinca goditet nga ana e Arben Gashit.

Në një prononcim për “Bota Sot”, Arben Gashi ka reaguar ndaj videos të publikuar.

Gashi ka thënë se në incizimin e publikuar shihet qartë se ka qenë një përpjekje për bisedë, e cila është shndërruar në histeri dhe akuzë për sulm fizik.

“Nga incizimi i publikuar sot në medie, shihet qartë se dje, në hollin e Kuvendit të Kosovës, një̈ përpjekje për bisedë mes kolegësh është shndërruar në histeri dhe akuzë për sulm fizik”, ka thënë Gashi.

Tutje, ka shtuar se edhe dje kanë thënë para qytetarëve dhe organeve kompetente se nuk ka ndodhur asgjë nga çfarë është pretenduar.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka shprehur konsideratë për publikimin e videos, duke thënë se shihet qartë se gjithçka çka u pretendua dje, është hedhur poshtë.

“E kemi thënë edhe dje, para qytetarëve dhe para organeve kompetente se në asnjë̈ moment, nuk ka ndodhur asgjë̈ nga çfarë është pretenduar. Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shprehë konsideratë për publikimin e videos së incizuar nga kamerat e Kuvendit të Kosovës, ku shihet se gjithçka që u pretendua dje, u hodh poshtë sot”, ka vazhduar Gashi për “Bota Sot”.

Në fund, Gashi ka thënë se LDK është themeltare e mendimit të lirë dhe rendit demokratik në Kosovë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është themeltare e mendimit të lirë e rendit demokratik në Kosovë dhe e çmon lart raportimin e drejtë, të paanshëm e profesional të medieve. Por, pas daljes në shesh të së vërtetës, shihet qartë se ende ka tendencë dhe përpjekje për ta prezantuar situatën e djeshme në favor të atyre që akuzuan dhe linçuan për motive të pastra politike” ka përfunduar Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat