Pse u zmbraps qeveria nga vendimi i ndalimit për faljen e Bajramit

Aktuale

Pse u zmbraps qeveria nga vendimi i ndalimit për faljen e Bajramit

Më: 30 korrik 2020 Në ora: 08:17
Foto ilustrim

Një ditë pasi Qeveria e Kosovës ndaloi pjesëmarrjen e qytetarëve në të gjitha ceremonitë fetare, vetë anëtarët e kabinetit Hoti kanë ngritur dyshime nëse masa e vendosur do të zbatohet edhe në rastin e faljes së Bajramit nëpër xhamitë e Bashkësisë Islame të Kosovës, të premten.

Në vendimin e votuar nga Qeveria të martën, pika 16 thotë: “Ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës”. Falja e Kurban Bajramit, të premten, bie në këtë kategori ceremonish që me vendimin e Qeverisë është e ndaluar. Por, i pyetur për këtë ndalesë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vënë në dyshim zbatimin e masës së miratuar, raporton koha.

“As nuk ndalojmë e as nuk lejojmë falje të çfarëdo riti fetar. Kemi sjellë rekomandime e vendime për të ruajtur shëndetin. I kemi ndaluar të gjitha aktivitetet publike, qoftë edhe ato private. Vetëm për ta ulur numrin e ta zhdukim pandeminë. BIK-u është përgjegjës”, ka thënë Zemaj.

Para Zemajt, zbatimin e masës së vendosur për ceremonitë fetare e ka vënë në dyshim edhe Bashkësia Islame e Kosovës, e cila ka konsideruar se masa për ndalesën e pjesëmarrjes “në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës” nuk ka të bëjë me faljen e Kurban Bajramit nëpër xhamitë e Kosovës.

“E keni komunikatën e ditës së hënë, nuk ka ndryshim nga ajo që është thënë në atë komunikatë”, ka thënë sekretari i BIK-ut, Ahmet Sadriu, i cili ka thënë edhe se në vendimet e fundit të Qeverisë nuk specifikohet se ndalohet falja e namazit të Kurbanit Bajramit.

BIK-u të hënën kishte vendosur për faljen e Kurban Bajramit me disa kufizime, si për shembull që në këtë ceremoni të marrin pjesë jo më shumë se 50 persona, të respektohet distanca, si dhe të mbahet maska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat