Bajrami: Deri në fund të vitit pritet të kemi mbi 230 milionë euro më pak të hyra

Aktuale

Bajrami: Deri në fund të vitit pritet të kemi mbi 230 milionë euro më pak të hyra

Më: 30 korrik 2020 Në ora: 13:47
Ilustrim

Gjatë shqyrtimit të dytë të rishikimit të Buxhetit, ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka thënë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, se projektligji nuk është në kundërshtim me Ligjin për menaxhim të financave publike, ashtu siç pretendojnë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ministrja Bajrami ka thënë se gjendja buxhetore në vend është tejet e rëndë, pasi ka rënie drastike të të hyrave, derisa ka shtuar se sa i përket Fondit për rimëkëmbje ekonomike në shumën prej 385 milionë euro, do të adresojë të gjitha kërkesat e aprovuara nga Komisionet ndërministrore.

Ajo ka thënë se deri në fund të vitit pritet rënia e të hyrave për më shumë se 230 milionë euro.

Bajrami: Në rishikim të buxhetit kemi sjellë një buxhet prej 2.6 miliardë euro

“Nuk është e vërtetë që Qeveria Hoti ka larguar masën prej 30 euro për pensionistët, ka qenë vendim i qeverisë për një periudhë të caktuar. Gjendja buxhetore në vendin tonë është shumë e rëndë, asnjë herë më keq nuk kanë qenë të hyrat buxhetore. Kemi një rënie drastike, deri në fund të vitit pritet që të kemi më shumë se 230 milionë euro më pak të hyra. Derisa shpenzimet për menaxhim të pandemisë po ngrihen dita-ditës për shkak të situatës pandemike. Neve na ka goditur më shumë për shkak se nuk kemi rezerva dhe nuk kemi buxhet të madh dhe stabil. Në rishikim të buxhetit kemi sjellë një buxhet prej 2.6 miliardë euro, përderisa të hyrat në buxhet planifikohen të jenë të hyra buxhetore 1 miliard e 788 milionë euro. Kemi një diskrepancë prej rreth 800 milionë euro, të cilat jemi detyruar t’i marrim nga emetimi i letrave me vlerë, huazim i brendshme, të jashtme dhe një pjesë të shfrytëzojmë nga Agjencinë i Privatizimit të Kosovës. Kjo është një gjendje e rëndë, askush nuk ka dëshirë të hyjë në borxhe të mëdha, por jemi të detyruar për të menaxhuar krizën pandemike”, tha Bajrami.

Ajo në fund ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë buxhetin, në mënyrë që të zhbllokohet edhe implementimi i Pakos Emergjente Fiskale, duke përfshirë pagat e punëtorëve prej 170 euro dhe për kategori sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat