Pandemia bën kërdinë, rreth 40 mijë persona humbën punën në Kosovë

Aktuale

Pandemia bën kërdinë, rreth 40 mijë persona humbën punën në Kosovë

Më: 4 gusht 2020 Në ora: 10:02
Jusuf Azemi

Prej muajit mars të këtij viti edhe kur filloi pandemia Covid-19, besohet se në Kosovë kanë humbur punën rreth 40 mijë persona, dhe se nëse vazhdon ky trend numri i atyre që do të humbin punën për shkak të pandemisë do të rritet deri në 60 mijë.

Kështu deklaroi për KosovaPress, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, që tha se shifra prej 40 mijë të papunëve është shënuar deri në fund të muajit qershor, ndërsa deri në fund të shtatorit ajo mund të rritet edhe për 20 mijë të tjera.

Azemi deklaroi se në ashumë raste janë edhe vet punëtorët që detyrohen të lënë punën për shkak se paga nuk ua mbulon shpenzimet.

Azemi: Deri në fund të shtatorit pritet të jenë mbi 60 mijë punëtorë që kanë humbur punën

“Deri në fund të muajit qershor, i kemi rreth 40 mijë punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës, dhe nëse vazhdon ky trend kështu, në fakt mendojmë që fundi i shtatorit do të jetë mbi 60 mijë punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës. Njëfarë forme punëtorët obligohen që edhe vetvetiu ta lëshojnë vendin e tyre të punës sepse pagat janë tepër të ulëta dhe pronarët e kompanive gjejnë një shprehje se gjëja nuk kanë punë, dhe punëtorët nuk e kanë llogarinë nëse edhe shpenzimet minimale të tyre nuk mbulohen që të shkojnë në vend të punës”, tha ai.

Në intervistën për KosovaPress, Azemi ka thënë se rol të madh në numrin e të papunëve po luan edhe kushtet këqija të punës në të cilat punohet.

Ai deklaroi se të drejtat e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë, janë të drejtat më të shkelura në rajon, sidomos tani në këtë kohë pandemie.

Azemi: Të drejtat e punëtoreve të sektorit privat të Kosovës, janë më të shkelurat në rajon

“Ne kemi tërhequr vërejtjen që edhe pa kohë pandemie, të drejtat e punëtorëve në sektorin privat në Kosovë, mund të themi se janë të drejtat më te shkelura në rajon dhe sidomos tani në këtë kohë pandemie, njëfarë forme ndoshta edhe është lanë fare anash kjo çështje e të drejtave të punëtorëve sepse është një gjendje tepër e rëndë, dhe një gjendje e cila ndoshta organet kompetente që janë e kanë lënë në renditjen e pesë ose gjashtë, kështu që shumë pak po merren me atë. Edhe pse në këtë kohë kemi numrin maksimal i shkeljeve te të drejtave të punëtorëve, duke u nisur nga orari i punës, pagesa e punës, mungesa e pushimit vjetorë, mungesa e pushimeve mjekësore, dhe të gjitha”, tha Azemi.

Azemi shtoi se nuk ka pasur asnjëherë gjendje kaq të rëndë të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat