​Ismaili: Kushdo që e kthen gjendjen në kohën e krimit, është hajn

Aktuale

​Ismaili: Kushdo që e kthen gjendjen në kohën e krimit, është hajn

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 21:07
Uran Ismaili

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Uran Ismaili dhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj janë përplasur rreth udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave.

Ish-ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka thënë se ministri aktual i Shëndetësisë Armend Zemaj ka bërë shumë dëme në sektorin e shëndetësisë.

Ai në emisionin DebatPlus në TV Dukagjini, ka thënë se kushdo që e kthen gjendjen në kohën e krimit, është hajn.

“Mundësia e krimit është në nivele të ndryshme. Gjuha që kam përdorur në reagimin tim ka qenë me qëllim të tregimit të rëndësisë së situatës se nëse një zyrtar publik mund të bëhet partner i krimit”, është shprehur ai.

Ministri Zemaj ka thënë se shfuqizimi i udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimit të barnave ka të bëjë me vështirësitë në zbatimin e tij dhe se ka kërkuar plotësim-ndryshimin e tij.

“Krejt kjo procedurë ka ndodhur në bazë të vlerësimeve në momentin kur kam shkuar si ministër. Kam kërkuar që të gjitha afatet të shkurtohen dhe të përmirësohet ky proces dhe nuk ka asgjë tjetër tendencioze sikur ajo e odave të farmacistëve dhe nga ish-ministri, të cilin nuk e kam kuptuar me shprehjet e tij për grupe kriminale”, është shprehur Zemaj.

Për më tepër ai mohuar të ketë pasur presione nga jashtë për anulimin e udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimit të barnave.

“Ish-ministrat e kanë derën e hapur dhe nuk është marre për të më ndihmuar. Për politikë vjen fushata dhe Kuvendi, për momentin nuk shoh rrugë dhe zgjidhje tjetër”, ka thënë Zemaj, duke iu referuar akuzave të ish-ministrit Ismaili rreth udhëzimit për rregullimin e çmimeve të barnave.

Ndryshe, Zemaj ka anuluar sot vendimin e datës 4 gusht 2020, me të cilin kishte shfuqizuar udhëzimin administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

E ish-ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili dje ka deklaruar se ministri aktual i këtij sektori Armend Zemaj, me shfuqizimin e udhëzimit administrativ që rregullon çmimin e barnave në nivel vendi, ka shndërruar veten në një partner të krimit farmaceutik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat