Ismaili për kërkesën e LVV-së për bashkëpunim me PDK-në rreth mocionit: Çka ndodhi që i hoqët vijat e kuqe?

Aktuale

Ismaili për kërkesën e LVV-së për bashkëpunim me PDK-në rreth mocionit: Çka ndodhi që i hoqët vijat e kuqe?

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 18:05
Uran Ismaili

Sekretari i Përgjithshëm dhe Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, i është përgjigjur kërkesës së LVV-së për bashkëpunim rreth mocionit të mosbesimit të Qeverisë.

 Ai ka thënë se fillimisht LVV duhet të tregojë se ku kanë mbetur vijat e kuqe të saj për PDK-në dhe çfarë ndodhi që ato tash u hoqën?

 Sipas tij, LVV vetëm po bën show politik. 

Ismaili, po ashtu, ka rikujtuar standardet e dyfishta të VV-së, sepse në kohën e mocionit të LDK-së, kur kishte 15 të infektuar me Covid-19 në ditë, ajo kërkonte të mos rrëzohej Qeveria, ndërsa sot e bën të kundërtën, megjithëse shënohen mbi 200 të infektuar në ditë në Kosovë.

 Kjo është deklarata e plotë e Ismailit: 

Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për media, paralajmëroi fillimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, por shpresat i paska varur në Partinë Demokratike të Kosovës.

 Në një moment të këtillë, kur kjo parti po kërkon bashkëpunim të drejtpërdrejtë me PDK-në, atëherë pashmangshëm shtrohen disa çështje që kërkojnë përgjigje publike.  

E para, LVV duhet të tregojë se çfarë ndodhi që i paska fshirë vijat e kuqe me PDK-në?  

E dyta, LVV duhet të tregojë sa është serioze në iniciativën për mocionin që e ka nisur në Kuvendin e Kosovës? 

Nga përvoja e kaluar, ky duket më shumë si një show politik i radhës sesa një përpjekje e sinqertë. Sepse, votat e LVV-së dhe PDK-së nuk mjaftojnë për rrëzimin e Qeverisë. Përkundrazi, e shtyjnë këtë Qeveri edhe për 6 muaj, sepse ligji thotë që mocioni i mosbesimit mund të ngritet vetëm një herë në gjashtë muaj. 

 Prandaj, VV duhet të tregojë se a e ka kontaktuar paraprakisht ndonjë parti politike që t’i japë formë dhe përmbajtje këtij bashkëpunimi që po kërkon nga PDK? A e mendon seriozisht rrëzimin e Qeverisë, pra sigurimin e 61 votave, apo është iniciativë vetëm për show politik? 

 Tema e radhës lidhet me dyshimin tonë ndaj iniciativës së Lëvizjes Vetëvendosje në kohë pandemie. Kur LDK nisi mocionin për Qeverinë Kurti, Lëvizja Vetëvendosje ankohej për rrëzimin e Qeverisë në kohë pandemie me vetëm 15 raste infektimi në ditë. E tani kur Kosova është ndoshta në kulmin e pandemisë, me nga 15 raste të vdekjeve dhe mbi 200 të infektuar në ditë, kjo sot nuk po i pengon Lëvizjes Vetëvendosje për ta ndërmarrë iniciativën e mocionit të mosbesimit për Qeverinë. Pra, kemi të bëjmë me standarde të dyfishta të VV-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat