Zbardhen detaje nga rrahja mes dy drejtorëve në Postën e Kosovës

Aktuale

Zbardhen detaje nga rrahja mes dy drejtorëve në Postën e Kosovës

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 20:25
Posta e Kosovës

Incidenti ka ndodhur në mëngjesin e së enjtes, të përfshirit u dërguan në polici për tu intervistuar

Mëngjesi i së enjtes nuk filloi si zakonisht në Postën e Kosovës.

Kjo pasi, dy zyrtarë të kësaj ndërmarrje, dolën në zyrë por jo për të punuar, por për të larë hesapet mes vete.

E kjo shkoi deri në rrahje në mes të dy drejtorëve të menaxhmentit të këtij institucioni.

Kjo rrahje u konfirmua edhe nga zëvendës kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Fakete Kadiu.

Sipas saj, ende nuk dihet si ka ardhur deri tek përleshja, por një gjë e tillë do të mësohet pas intervistimit nga ana e Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Ata pohuan se rasti është duke u hetuar dhe se në koordinim me prokurorinë do ti ndërmarrin hapat e mëtutjeshme.

 “Sot rreth orës 09:30 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje që ka ndodhur brenda objektit të Postës së Kosovës. Aktualisht rasti ndodhet në fazën fillestare të intervistimi, nga njësitet kompetente po intervistohen palët e përfshira si dhe dëshmitarët. Hetuesit policor në koordinim të ngushtë me prokurorinë përkatëse do të ndërmarrin veprimet e mëtejme lidhur me rastin në fjalë”

Ky incident nuk ishte i pari që ka ndodhur në këtë ndërmarrje.

Më 20 dhjetor të vitit të kaluar, në një ndej të organizuar për fundvit nga punëtorët e ndërmarrjes publike Telekomi, dy zyrtarë të kësaj ndërmarrje u përfshinë në një rrahje ku ishte përdorur edhe një armë zjarri.

Si pasojë e kësaj, njëri nga ta kishte mbetur i plagosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat