300 të vdekur nga Covid-19, ja kë fajëson Vjosa Osmani

Aktuale

300 të vdekur nga Covid-19, ja kë fajëson Vjosa Osmani

Nga: A.Zh Më: 6 gusht 2020 Në ora: 21:13
Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, e ka quajtur “shifër të dhimbshme”, humbjen e 300 personave nga Koronavirusi në Kosovë.

Ajo ka kritikuar Qeverinë, se përkundër trendit alarmant nga pandemia, ka refuzuar trajtimin e ligjit Anti-Covid, duke e konsideruar të panevojshëm, përcjell Bota sot.

Osmani ka thënë se Qeveria po bën investime jo të domosdoshme infrastrukturore dhe pagesa për fatura për avokatët e Gjykatës Speciale, derisa e njëjta ankohet se nuk ka shtretër të mjaftueshëm.

Sipas saj, 300 viktimat janë rezultat edhe i neglizhencës 20 vjeçare ndaj sistemit shëndetësor të brishtë.

Kyreparlamentarja ka kërkuar mobilizim në luftën kundër pandemisë, që të zvogëlohen vuajtjet dhe të rritet shpresa.

Reagimi i saj i plotë në Facebook:

Sot u shënua shifra e dhimbshme prej 300 jetësh të humbura; 300 ëndrra njerëzish u fikën në betejën kundër COVID-19. Prapa secilit nga këta numra qëndron një histori e trishtë, zbrazëtia e pafund që e lanë në shpirtrat e të dashurve, që nuk mund të plotësohet asnjëherë!

Por, dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, e shifrat si këto të trokasin në ndërgjegjen tonë. Prandaj sot, kur nuk dimë si do të duket epilogu i këtij kapitulli të hidhur, duhet të mësojmë nga historia e secilit, të mbajmë distancë për hir të tyre, të vendosim maska mbrojtëse dhe ta ruajmë higjienën personale!

Ta pranojmë sintagmën "një herë në shekull", dhe ta mposhtim pandeminë me kurajo e kujdes ndaj njëri-tjetrit. Të përmbahemi atëherë kur dielli na provokon e natyra na thërret.
Të mbajmë distancën fizike edhe atëherë kur të na mungojnë përqafimet e më të dashurve tonë. Ne duhet të jemi mburojë e sistemit shëndetësor duke ushtruar kujdes personal, për hirë të sakrificës së profesionistëve, të cilët me vetëmohim të pashoq po përballen me rrezikun e çdoditshëm!

COVID-19 ka shtruar nevojën urgjente të qeverive për ta rritur gatishmërinë në menaxhimin e situatës. Përkundër trendit alarmant, qeveria refuzoi trajtimin e ligjit anti-covid duke e konsideruar të panevojshëm, refuzoi buxhet për maska mbrojtëse dhe vaksina, ankohet se nuk ka mjaftueshëm shtretër përderisa prioritizon investime jo të domosdoshme infrastrukturore apo pagesa për fatura për avokatët e Gjykatës Speciale.

Të mos harrojmë, viktimat janë rezultat edhe i neglizhencës 20 vjeçare ndaj sistemit shëndetësor të brishtë, i cili megjithëse është konsideruar prioritar në letër, në praktikë nuk po trajtohet si i tillë.

COVID-19 është kudo përreth nesh. Sot kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t'i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat