A do ta mbyllë KPM-ja televizionin e hapur nga Vetëvendosje

Aktuale

A do ta mbyllë KPM-ja televizionin e hapur nga Vetëvendosje

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 08:51
Foto

Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, e ka cilësuar të rrezikshëm për demokracinë krijimin e televizionit të Lëvizjes Vetëvendosje, “TVV”.

Latifi ka thënë se krijimi i mediumit televiziv nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje paraqet cenim të së drejtës së qytetarëve për informim të pavarur dhe të drejtë.

“Në një shtet demokratik, një parti politike të mbajë në pronësi një televizion (çoftë edhe vetëm në platformat online, për të cilat KPM nuk ka mandat te rregullimit) është kërcënim për demokracinë; shpërfillje e të drejtës për liri të shprehjes; dhe cenim i të drejtes së qytetarëve për informim në mënyrë të pavarur, të drejtë dhe të paanshme”, ka thënë Latifi të enjten mbrëma.

Kryeshefi i organit që merret me rregullimin e shërbimeve audio-vizuale në Kosovë, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të marrë iniciativë për ndryshimin e Ligjit për KPM-në në mënyrë që ky organ të ketë mandat për rregullimin e platformave televizive online.

“I bëj thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që të inicoj ndryshimin e Ligjit për KPM-në, e njëkohësisht, të veprojë me urgjencë në emërimin e tre (3) anëtarëve të KPM-së, për ta bërë funksional organin vendimmarres të këtij institucioni”, thuhet në shkrimin e Latifit në Facebook.

Televizioni “TVV”, i hapur sot nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk mund të pajiset me licencë nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Kësisoj, televizioni propagandues i subjektit politik të Albin Kurtit do të mbetet pa licencë nga organi i pavarur i cili rregullon shërbimet audio-vizuale në Kosovë.

Sipas Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, partitë politike ndodhen në “listën e zezë” të organizatave të cilat nuk mund të pajisen me licencë për transmetim televiziv.

Neni 22, paragrafi 3.1 thotë se “licenca e transmetimit nuk i lëshohet ose nuk do të vazhdoj t’i jepet: partisë politike, bashkësisë fetare, grupit ose organizatës e cila menaxhohet nga individi i cili mban post të zgjedhur ose është anëtar i një organi ekzekutiv të një partie politike”.

Neni 22 i Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave

Megjithatë, televizioni i Lëvizjes Vetëvendosje mund të funksionojë si i palicencuar në internet.

Platforma televizive, e cili do të përdoret nga partia e Albin Kurtit për qëllime propaganduese politike, ka nisur punën të enjten me publikimin e një interviste të Besnik Bislimit, nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndonëse janë të qarta qëllimet e televizionit, anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu ka thënë sot se ideja e kësaj iniciative ka qenë që të paraqesin qëndrimet e subjektit politik për çështje të caktuara.

“E respektojmë punën që bëjnë mediat dhe gazetarët në Kosovë, por e kemi parë të rëndësishme që ta bëjmë edhe një televizion, ku shpalosim qëndrimet tona, nëse jemi të ftuar në ndonjë medium, ndonjëherë nuk mund t’i përçojmë të gjitha mesazhet e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat