​Mustafa: Fondi i sigurimeve do t’ua garantojë bujqve kulturat bujqësore

Aktuale

​Mustafa: Fondi i sigurimeve do t’ua garantojë bujqve kulturat bujqësore

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 13:37
Besian Mustafa

Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Besian Mustafa ka deklaruar se për zgjidhje afatgjate, bujqit e Kosovës kanë nevojë për një fond për sigurime bujqësore, që u lejon atyre të merren me bujqësi e të mos brengosen për dëmet që shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore.

Mustafa gjatë seancës plenare ka folur për dëmet që janë shkaktuar ditëve të fundit nga vërshimet, e në masë të madhe në zonën e Dukagjinit.

Ai ka treguar se janë ndarë rreth 2 milionë euro, apo 25 për qind e shumës së dëmeve të vlerësuara nga komisionet komunale.

Mustafa: Kemi ndarë përafërsisht 2 milionë euro

“Sivjet kemi ndarë një buxhet prej 3,08 milionë euro për kompensimin e këtyre dëmeve, pra një fond të veçantë për kompensimin e këtyre dëmeve. Në gjashtë mujorin e parë kam kërkuar nga të gjitha komunat që të mbledhim të gjitha raportet nga komisionet komunale për evidentimin dhe vlerësimin e këtyre dëmeve. I kemi mbledhur të gjitha këto raporte, nga 22 komuna dhe kemi nxjerrë vendim në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku kemi ndarë përafërsisht 2 milionë euro, apo 25 për qind të shumës së dëmeve të vlerësuara nga komisionet komunale”, ka deklaruar ministri Mustafa.

Mustafa u ka bërë apel 22 komunave që të dorëzojnë listat që përmbajnë xhirollogaritë e fermerëve për kompensimin e dëmeve të tokave bujqësore të fermerëve.

Mustafa: Me Ministrinë e Financave po hulumtojmë mekanizmat për jetësimin e fondit të për sigurime bujqësore

“Themelimi i fondit për sigurime bujqësore që do të jetë një fond i veçantë së bashku me Ministrinë e Financave dhe gjithë donatorët po hulumtojmë mekanizmat më të mirë që duhet ndërtuar për jetësimin e këtij fondi për sigurime bujqësore. Qëllimi jonë final është që të kemi një fond të mirëfilltë, i cili së bashku me kompanitë e sigurimeve në Kosovë, do u garantojë bujqve të Kosovës që do t’i sigurojnë kulturat e tyre bujqësore dhe të mos jenë më në mëshirë të fatit. Qoftë të fatkeqësive natyrore, por qoftë edhe të qeverisë qendrore komunale. Por që të kenë një zgjidhje afatgjate, pra një fond për sigurime bujqësore që atyre u lejon që të merren me bujqësi dhe të mos brengosen për dëmet që ju shkaktojnë fatkeqësitë natyrore”, ka shtuar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat