Nasim Haradinaj: Ndoshta ambasadori Kosnett nuk është aq i paditur që merret me pretendimet e Dick Martit - Bota Sot
Nasim Haradinaj: Ndoshta ambasadori Kosnett nuk është aq i paditur që merret me pretendimet e Dick Martit

Aktuale

Nasim Haradinaj: Ndoshta ambasadori Kosnett nuk është aq i paditur që merret me pretendimet e Dick Martit

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 17:45
Nasim Haradinaj

Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe i përkrahur edhe nga Qeveria që e drejton Avdullah Hoti, ka marr kritika nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës.

Ambasadori amerikan Philip Kosnett përmes një shkrimi autorial në Kohën Ditore tha se Ligji për Vlerat e Luftës së UÇK-së është një mënyrë e gabuar për të treguar respekt për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Diplomati amerikan tha se një ligj i tillë kriminalizon lirinë e shprehjes dhe frikëson qytetarët dhe mund të minonte përpjekjet për të siguruar drejtësi, pasi mund t’i frikësoj dëshmitarët në rastet e krimeve të supozuara të individëve të asociuar me UÇK-në.

Por, me qëndrimet e ambasadorit Kosnett nuk po pajtohet Organizata e Veteranëve të Luftës. Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj tha se ky ligj në asnjë mënyrë nuk bie ndesh me kushtetutën. Madje ai e këshillon ambasadorin amerikan që mos të merret me pretendimet e Dick Martitt.

“Ndoshta nuk është aq i paditur që merret me pretendimet e Dick Martit. Unë mendoj që kjo është ndërhyrje në drejtësi nëse ambasadori Kosnett thotë që UÇK-ja ka bërë krime”, ka shtuar Haradinaj.

I dyti i OVL-së theksoi se fillimisht duhet të votohet ligji në Kuvend e pastaj edhe mund të modifikohet.

“Unë me ambasadorin pajtohem në atë pikën kur thotë implikon vijën buxhetore pasi është kohë pandemie kur njerëzit kanë problem. Nuk kemi problem për këtë çështje. Por njëherë duhet ta bëjmë ligjin dhe pastaj të shohim ku janë ngecjet dhe pastaj të përmirësohet”, tha Haradinaj.

Kundër votimi të këtij ligji ka dalë edhe ambasada zvicerane në Kosovë. Në reagimin e kësaj ambasade thuhet se ky ligj mund të minojë lirinë e shprehjes si një nga të drejtat themelore.

“Ligji i propozuar mund të kërcënojë disa qytetarë të Kosovës dhe të pengojë procese të tjera që synojnë trajtimin e së kaluarës. Zvicra inkurajon krerët dhe politikanët e Kosovës të gjurmojnë mënyra të tjera për të treguar respekt për UÇK-në”, thuhet në reagimin e Ambasadës zvicerane.

Ndryshe ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së po diskutohet sot në Kuvendin e Kosovës, dhe pritet të hedhet edhe në votim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat