Zëdhënësi i VV-së: Televizioni ynë s’është sikur të tjerët, VV vazhdon t’i ketë vijat e kuqe ndaj PDK-së

Aktuale

Zëdhënësi i VV-së: Televizioni ynë s’është sikur të tjerët, VV vazhdon t’i ketë vijat e kuqe ndaj PDK-së

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 19:29
Foto ilustrim

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu, mohon se televizionin e ri që themeloi partia e tij është produkt propagandues.

Ai po thotë se nuk është një televizion klasik, por një platformë sociale e komunikimit dhe nuk i nënshtrohet kritereve të njëjta sikur televizionet tjera në vend.

“Ky projekt i yni nuk është i ngjashëm me një ndërmarrje mediatike sepse s’kemi skemë programore apo frekuencë transmetimi. Kjo është një platformë tjetër e komunikimit të Vetëvendosjes përmes rrjeteve sociale. Ky projekt duke shfrytëzuar platformën Youtube është zgjatje e produkteve që ne kemi në faqen e Facebook-ut”.

“Në Facebook ne vazhdimisht postojmë mesazhe apo argumentime të një çështje të caktuar, transmetimin live të konferencave për media dhe aktivitetinn e VV-së në Kuvend. Është një projekt me intervista me një nga gazetarët e VV-së. Është një temë që ne konsiderojmë se duhet trajtuar në një ambient tjetër dhe më pas të zhvillohet në një medium tjetër. VV nuk ndryshon asnjë raport me mediat”.

Kryeziu tha se nuk do të barrikadohen me mediat e vendit dhe se kjo nuk do të thotë që s’do të jenë prezentë në to.

“Kjo nuk është kritikë ndaj mediave në vend, as barrikadim, as me bashkëpunimin me mediat në vend. As tërheqje nga sfidimi në televizionit lokale dhe kombëtare. Do të vazhdojë të jetë njëjtë bashkëpunimi me gazetarët siç kemi bërë deri më tani. Nuk ka asnjë nga tiparet e televizioneve konvencionale”.

Kryeziu tha se kritikat e gazetarëve erdhën sepse nuk u kuptua mirë formati i TVV-së derisa shtoi se Vetëvendosje nuk është e para që bëri një gjë të tillë, pasi që një praktikë e tillë ekziston edhe nga partitë tjerë të mëdha nëpër botë.

“Format e tilla të komunikimit nuk janë të shpikura nga VV. CDU ka një kanal në Youtube që është shumë më profesional se ky i yni dhe ka prononcime të shkurta me politikanë, përfshirë edhe Angela Merkel”.

Për krahasimin që ia bënë gazetarë dhe njerëz të shoqërisë civile me televizionin e Edi Ramës, ERTV, Kryeziu tha se kjo gjë është krejt e ndryshme dhe as që duhet krahasuar.

“Edi Rama është kryeministër, ndërsa Vetëvendosje është një subjekt politik. Po flasim për një produkt që s’është TV konvencional. As kritika dhe kriteret s’mund të jenë të njëjta”.

Ndërkaq, për thirrjen ndaj DK-së në nismën e VV-së për rrëzimin e Qeverisë Hoti, Kryeziu thotë se kjo nuk nënkupton thirrje për bashkëqeverisje.

“Vetëvendosje ka vija të kuqe ndaj PDK-së dhe do të ketë vija të kuqe për çfarëdo lloj bashkëpunimi në qeverisje me të. Partitë opozitare komunikojnë për ta rrëzuar qeverinë, por nuk do të thotë se bashkëpunojnë në kuptimin e qeverisjes për ta rrëzuar qeverinë. Ne komunikojmë me PDK-në që ta kemi mbështetjen për ta rrëzuar qeverinë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat