Deputeti i LDK-së: MPJ të reagojë, xhandarët serbë “si në bahçe të babës” në territorin e Kosovës

Aktuale

Deputeti i LDK-së: MPJ të reagojë, xhandarët serbë “si në bahçe të babës” në territorin e Kosovës

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 09:15
Xhandarmëria serbe në territorin e Kosovës

Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, ka thënë se hyrja e xhandarëve serbë në territorin e Kosovës është veprim që duhet dënuar ndërkombëtarisht.

“Futja e pjesëtarëve të uniformuar e armatosur të një vendi fqinj në territorin tonë (kuptohet, pa leje), është cenim i drejtpërdrejtë i sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Ky veprim nuk mund të cilësohet ndryshe pos tentim për agresion dhe si i tillë është i dënueshëm me ligj ndërkombëtar”, është shprehur ai.

“Gjersa Beogradi e bën problem ndërkombëtar deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së çfarëdo lëvizje të Policisë së Kosovës në veri të vendit tonë, hyrja e ushtrisë apo xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës në zonën kufitare të Karaçevës si në “bahçe të babës” është veprim agresiv i Serbisë ndaj Kosovës, i papranueshëm dhe i dënueshëm ndërkombëtarisht”.

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet reaguar ndaj këtij veprimi.

“MPJ e jonë, nëse nuk është komplet e përgjumur, është tejet e ngathët në reagim për nxitjen e qarqeve relevante ndërkombëtare për reagim të drejtë e të domosdoshëm në interes jo vetëm të sovranitetit të vendit por edhe të stabilitetit rajonal”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat