Ish gjenerali, eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka reaguar për hyrjen e djeshme të xhandarmerisë serbe në territorin e Kosovës, ku ka shtuar disa pyetje rreth këtij rasti.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se institucionet e Kosovës duhet të mendojnë për prezencë të shtuar dhe vendosje statike të policisë kufitare në këtë dhe zona tjera.
Po ashtu, ai ka shtuar se formacioni i xhandarmërisë me defilimin dhe provokimin e saj shkakton frikë të qëllimshme dhe mund ti kontribuojë ndonjë eskalimi të situatës.
Postimi i plotë:
Me shkas
Hyrja e djeshme xhandarmerisë serbe në thellësi të territorit të Kosovës nuk përbën risi. Ata në vazhdimësi vijojnë të cenojnë integritetin territorial të Kosovës duke shkaktuar panik të popullata shqiptare e cila gjendet në dy anët e kufirit. Tashmë kemi mbase një pretendim të KFOR-it se dje ishte planifikuar një patrullim i përbashkët. Mirëpo pyetja shtrohet pse do të duhej të bëhej patrullimi në thellësi të territorit të Kosovës e jo në zonë neutrale apo edhe në territorin e Serbisë? Komanda e KFOR-it duhet të jep shpjegim zyrtar për këtë dhe Kryeministri duhet të kërkojë shpjegime për këtë nga Komandanti i KFOR-it. Institucionet e Kosovës duhet të mendojnë për prezencë të shtuar dhe vendosje statike të policisë kufitare në këtë dhe zona tjera.
Kujtojmë se Serbia e ka të dislokuar xhandarmërinë vetëm në raport me kufirin me Kosovë e jo edhe me kufijtë të tjerë (atje patrullojnë njësitet e rregullta të policisë kufitare serbe). Formacioni i xhandarmërisë me defilimin dhe provokimin e saj shkakton frikë të qëllimshme dhe mund ti kontribuojë ndonjë eskalimi të situatës.
RQ