Komuna e Kamenicës e qartëson rastin e Karaçevës: KFOR-i na tha se kishin një aksion të përbashkët me ushtrinë serbe

Aktuale

Komuna e Kamenicës e qartëson rastin e Karaçevës: KFOR-i na tha se kishin një aksion të përbashkët me ushtrinë serbe

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 15:09
Xhandarmëria serbe në territorin e Kosovës

Kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati tha se KFOR’i u ka sqaruar se patrullimet e xhandarmërisë serbe dje në Karaçevë kanë qenë aksion i përbashkët me forcat paqeruajtëse të tyre. Kastrati tha se si komunë e as nga policia nuk kanë qenë të informuar paraprakisht për këtë aksion të përbashkët.

Ngjarja e djeshme në Karaçevë të Kamenicës ku xhandarmëria serbe janë parë duke hyrë në thellësi të fshatit ka zgjuar jo pak reagime.

Kryetari i Kamenicës Kastrati tha se i ka shprehur shqetësimin e tij KFOR’it pasi pavarësisht aksionit të përbashkët, xhandarmëria serbe nuk ka të drejtë të futet në brendi të territorit të Kosovës.

“Me të pranuar informatën, menjëherë kam kontaktuar me nivelin  qendror për shkak që mbrojtja e kufijëve është në mandatin e tyre. Kam biseduar edhe me KFOR-in sepse askush nuk mund të hyj në atë pjesë pa pasur fillimisht leje të veçantë nga ta. Sipas tyre ka qenë kontroll i përbashkët me ushtrinë serbe, për çka edhe ua shpreha shqetësimin tonë si komunë sepse pavarësisht aksioneve të përbashkëta ata nuk kanë pasur të drejtë të hyjnë thellë brenda territorit, pra në vendin ku edhe janë marrë pamjet”, tha Kastrati të shtunën.

Kastrati tutje tha se nuk kanë qenë të informuar paraprakisht si komunë për këtë aksion të përbashkët të KFOR’it me ushtrinë serbe.

“Nga informatat që kemi as Policia e as ne si komunë nuk kemi qenë të njoftuar paraprakisht për këtë aksion të përbashkët, e normalisht që kjo ka sjellë shqetësim për banorët e asaj ane sepse nuk është hera e parë që ata përballen me diçka të tillë”, tha Kastrati.

Ai u shpreh po ashtu se kësaj radhe xhandarmëria është futur në zonën e fshatit ku frekuentohet nga të gjitha moshat.

“Madje kësaj rradhe kanë hyrë në një territor të frekuentuar nga të gjitha moshat. Për shkak të një gabimi në Marrëveshjen e Kumanovës në vitin 1999, ata ndihen të provokuar që organet e Serbisë hyjnë brenda vendbanimeve të tyre, aq më pak në këtë thellësi territoriale që nuk parashihet as me këtë marrëveshje të 99-tës”, u shpreh Kryetari i Kamenicës.

Ndërkohë Ministri Anton Quni gjatë ditës ka folur folur ku ka theksuar në lidhje me këtë rast KFOR’i dhe organet e tjera të sigurisë janë duke e hetuar rastin.

“Rasti është duke u hetuar nga autoritetet e KFOR-it dhe institucionet vendore të sigurisë.Besoj se së shpejti do ta kemi raportin e saktë mbi natyrën dhe motivin e kësaj ngjarjeje.Nga ana e FSK-së janë duke u zbatuar veprimet e duhura nën drejtimin e Komandantit të FSK-së gjenerallejtënant  Rrahman Rama”, tha Ministri i Mbrojtjes.

Kurse policia e Kosovëskanë deklaruar se kanë njoftuar KFOR’in për patrullimin e xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë të Kamenicës. Ata thanë po ashtu se njësitet kufitare të tyre kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes por që nuk kanë hasur në ushtri të Serbisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat