Dëshmitë: Kush janë dy policët që ishin pranë zbardhjes së vrasjes së Tahir Zemajt, kështu veproi sot Thaçi

Aktuale

Dëshmitë: Kush janë dy policët që ishin pranë zbardhjes së vrasjes së Tahir Zemajt, kështu veproi sot Thaçi

Nga: BS Më: 8 gusht 2020 Në ora: 20:12
Kolonel Tahir Zemaj ishte vrarë se bashku me djalin e tij Enisin dhe kushëririn e tij Hasanin, më 4 janar të vitit 2003.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në profilin e tij në facebook bërë të ditur se ka dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës” 21 policët e Kosovës të rënë në detyrë.

“Shumë pak muaj pas çlirimit të vendit, së bashku me udhëheqjen e ekspertizës perëndimore, nisëm nga zeroja ndërtimin e Shërbimit Policor të Kosovës. Krijuam policinë e parë në Kosovë, sipas standardeve dhe kritereve demokratike. Një institucion shumetnik, me përfaqësim meritor edhe gjinor! Sot, policia jonë, është shembull për tërë rajonin dhe më gjerë. Ajo është forca, siguria dhe nderi i qytetarëve dhe i shtetit tonë. Çdo ditë është në krye të detyrës, në shërbim të qytetarëve, të sigurisë dhe në mbrojtje të atdheut. Në krye të detyrës, 21 policë kanë dhënë më të shtrenjtën e tyre, jetën. Ata janë heronjtë e pasluftës dhe për kontributin e tyre kam vendosur t’i dekoroj me urdhrin “Hero i Kosovës””, ka shkruar presidenti Thaçi.

Image
Foto e postuar sot nga Hashim Thaçi

Por në mesin e 21 policëve që ka dekoruar Thaçi, spikasin edhe dy emra.

Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, dy policët që u vranë mizorisht më 24 nëntor të vitit 2003.

Dy policët e Kosovës thuhet se u vranë pasi ishin duke hetuar dhe ishin shumë afër zbulimit të vrasjes së Kolonel Tahir Zemaj, së bashku me kushëririn Hasanin dhe djalin Enisin.

Se Tolaj dhe Haklaj u vranë për këtë arsye, kohë më parë ka deklaruar edhe miku i ngushtë i kolonelit Zemaj, major Nazif Ramabaja.

Image
Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj

“Ka pasur një përpjekje nga SHPK-ja për hetime dhe zbulimin e këtij rasti dhe vrasje makabre të kolonel Tahir Zemajt nga dy pjesëtarë të shërbimit policor të Kosovës Isuf Haklajt dhe Sebahate Tolaj, por që në përfundim të këtij hetimi u ekzekutuan të dytë në një atentat gjatë shkuarjes në punë në magjistralen Raushiq-Pejë. 15 vite më parë, pikërisht më datën 24 nëntor të vitit 2003, u vranë në një atentat kriminal dy policët e Kosovës, Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj. Dy policët, të cilët tashmë nuk jetojnë më, u vranë pasi ishin gati të zbulojnë një vrasje të madhe, e cila kishte tronditur opinionin shqiptar, në ato vite të para të lirisë së Kosovës, vrasjen e Kolonel Tahir Zemës. Për këtë krim të dyfishtë është dënuar krimineli Bedri Krasniqi më 27 vite burg, ish-truproja e kryetarit të AAK-së, tash kryeministër i vendit Ramush Haradinaj”, kishte deklaruar kohë më parë, major Nazif Ramabaja për gaztën “Bota sot”.

E dyshimet e njëjta me Ramabajën i ka edhe ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai kohë më parë për gazetën “Bota sot” ishte shprehur se vrasja e dy policëve lidhet me rastin e vrasjes së Kolonel, Tahir Zemajt dhe ish deputetit të LDK-së, Smajl Hajdarajt.

“Sipas njohurive dhe informacioneve Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj janë vrarë, pasi si zyrtar hetues të policisë me punë të zellshme i ishin afruar shumë afër zbardhjes të disa vrasjeve në Dukagjin, njëra ndër to vrasja e Tahir Zemajt. Por, gjatë punës hetuese nuk ishin treguar të kujdesshëm për jetën e tyre dhe në një ditë nëntorit vrasësit bën pusi kundër tyre. Gjatë vrasjes ishte bërë shoshë vetura e policisë nga plumbat e kallashnikovë AK-47. Por gjatë tentimit për ta vrarë edhe një pjesëtarë tjetër të policisë i cili ishte bashkë me viktimat në patrullë, njëri nga dorasit kur ka kaluar mbi pjesën e përparme të veturës së policëve të vrarë për të shkrepur edhe një karikator me plumba ka lënë gjurmë komplet VIJAT PAPILARE të dorës së autorit. Kështu që njëri nga autorët është i dënuar, por nuk dihet kurrë kush kanë qenë organizatorët dhe personat tjerë të atij atentati ndaj policëve shqiptarë”, kishte thënë Miftari për gazetën “Bota sot”.

“Policisë së Kosovës i janë vrarë dhjetëra policë nga paslufta gjerë më sot, ku shumica kanë mbetur raste të pa ndriçuara. Ky rast është vjetërsuar, dëshmitë janë venitur e dëshmitarët disa edhe nuk janë gjallë më. Por, ka munguar sidomos vullneti i drejtësisë së shtetit tonë pasi ka frikë të gjurmoj shumë vrasje që kanë lidhje politike pasi nuk dihet se kush mund të dal porositës i vrasjeve. Shumë jam i bindur se kjo vrasja del dhe vjen nga një kënd krejt tjetër dhe se vrasja e Tahir Zemes, Smajl Hajdarit dhe vrasja e Isufit dhe Sabahates janë bërë dhe janë të lidhura mes veti”, kishte shpjeguar më tej ish agjenti Naim Miftari.

Po ashtu edhe publicisti Nexhat Haziri, kishte shkruar se dy personat të cilët po hetonin vrasjen e Hajdarajt, ishin dy policët Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj.

“Njëra nga dy vrasjet që po e hetonin dy policët hetues të SHPK-së në rajonin e Pejes, Isuf Haklaj e Sebehate Tolaj, ishte edhe vrasje e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe komandantit të Shtabit Rajonal të UÇK-së në Rugovë, Smajl Hajdaraj më 17 janar të vitit 2002. Por sic dihet të dy policët, Isuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj, u vranë më 24 nëntor të vitit 2003, vrasje kjo për të cilën është denuar me 27 vite Bedri Krasniqi, ish-truproje e Ramush Haradinajt”, kishte shkruar publicisti Haziri.

Dyshimet se Tolaj dhe Haklaj u vranë pasi ishin afër zbardhjes së disa prej vrasjeve politike, i ka edhe shoqata “Thirrje për drejtësi”.

“Edhe një vrasje e dyfishtë politike. Në cilësinë e hetuesve policorë , në një atentat u vranë oficerët policorë Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj , njëkohësisht edhe ish luftëtarë të Betejës së Kosharës. U vranë me të vetmin motiv se hetonin vrasjet politike në Rajonin e Dukagjinit , atë të Tahir Zemajt dhe të Smajl Hajdarajt. Vetëm një nga vrasësit-dorasi , Bedri Krasniqi ish truproje e Ramush Haradinajt është dënuar me burg për këtë vrasje të dyfishtë. Drejtësia jonë ( dhe ndërkombëtare) e çmendur nuk shkoj më tej , as nuk identifikuan dorasët tjerë që morën pjesë dhe as urdhërdhënësin. Drejtësi për Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn! ... dhe për të gjitha vrasjet tjera politike!”, thuhej në njërin ndër reagimet e kësaj shoqate.

Kujtojmë se Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, përveç që ishin policisë, gjatë luftës kishin qenë edhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan përkrah kolonel, Tahir Zemajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat