Mustafa: Albin Kurti nuk mund ta rrëzojë qeverinë Hoti

Aktuale

Mustafa: Albin Kurti nuk mund ta rrëzojë qeverinë Hoti

Më: 9 gusht 2020 Në ora: 17:14
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Isa Mustafa nuk po sheh asgjë të mirë te Partia e Albin Kurtit me të cilin fillimisht ndërtoi koalicionin e “Shpresës”. Po thotë se Vetëvendosje ofron vetëm karantinë për njerëzit, propagandë dhe viktima të propagandës. Madje, po thotë se VV s’mund ta rrëzojë Qeverinë pasi s’mund të gjejë partner.

Tash,  Albin Kurti ka nisur një betejë për ta rrëzuar Partinë e Isa Mustafës nga Qeveria.

Por, Shefi i LDK-së  nuk sheh asnjë mundësi që projekti i Kurtit të realizohet për rrëzimin e Avudllah Hotit.

“VV nuk mund ta rrezojë Qeverinë”, thotë Mustafa, në një përgjigje.

Partia e Albin Kurtit ka mbetur në opozitë pasi u rrëzua nga votat e 85 deputetëve. Tash, Vetëvendosje po e kërkon ndihmën e PDK-së për ta rrëzuar Hotin nga Ekzekutivi.

Isa Mustafa ka një shpjegim pse kjo nismë e Kurtit do të dështojë.

“Së pari sepse VV nuk ofron asgjë serioze, përpos karantinimit kolektiv, e njerëzit nuk mund ta çojnë gjithë kohën në karantinë. E dyta, se subjektet e tjera politike nuk gjejnë interes në propagandën dhe politikat populliste të VV që nuk i ofrojnë perspektivë demokratike Kosovës”, ka shpjeguar Mustafa.

Kur LDK inicioi mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti kishte pasur deklarata se një veprim i tillë po ndërmerret në kohë pandemie.

Tash, Isa Mustafa po thotë se me këtë veprim Vetëvendosje tregoi se ka vetëm propagandë dhe viktima të propagandës.

“LVV ka të drejtë të provojë rrëzimin e Qeverisë. Por ishte pikërisht VV që kritikoi LDK-në, pse inicoi mocion votebesimi në kohë pandemie, edhepse rrezimin e Qeverisë e shkaktoi VV. Sheshazi po del se VV nuk  ka  parime, ka vetëm propagandë dhe ka viktima të  propagandës”, ka shtuar ai.

Kreu i LDK-së ka folur për mundësinë e përfshirjes së PDK-së në koalicionin qeveritar. Ai tha se rrethanat kanë ndryshuar pas propozim-aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit.

“Rrethanat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë pas paralajmërimit të aktakuzave nga Prokurori i  specializuar. Edhe mos të ishte kjo, në fund të vitit do duhej të uleshim e të merremi vesh për zgjedhjen e Presidentit. Në çdo variantë mungesa e një dakordimi për zgjedhje të  Presidentit na qon në zgjedhje të reja”, tha ai.

I pyetur për mundësinë e përfshirjes së PDK-së në Qeveri, Mustafa ka thënë se gjërat kanë ndryshuar por për çfarëdo vendimi do të marrë mendimin e Partisë.

“Në zgjedhjet e fundit jemi deklaruar se nuk bëjmë koalicion me PDK-në. Edhe PDK, pas zgjedhjeve është deklaruar se do të qëndrojë në opozitë. Mendoj se situata e Pandemisë, paralajmërimi i aktakuzave  për një numër të përfaqësuesve të lartë sikurse edhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, kërkon një qasje tjetër. Të mos jemi përjashtues ndaj njëri-tjetrit dhe të sigurojmë pajtim për çështje jetike për vendin. Mirëpo, për çdo gjë duhet ta kemi miratimin e organeve partiake, pas një vlerësimi të situatës së re të krijuar”, tha kreu i LDK’së.

Shefi i LDK’së sot i është përgjigjur edhe përplasjeve në koalicionin qeverisës duke thënë se posa të shërohet kryeministri Hotido të takohet me kreun e AAK’së Ramush Haradinaj për të qartësuar mosmarrëveshjet.

“Mendoj se koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm. Posa  të dal Kryeministri në zyrë do të takohemi me partnerët e koalicionit dhe do të shtjellojmë të gjitha çështjet që janë hapur në media. Vlerësoj se nuk ka çështje që nuk mund të rezultojë me zgjidhje dhe me mirëkuptim”, tha Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat