Hyrja e xhandarmërisë serbe në Kosovë, banorët: S’është hera e parë, ky problem është që nga viti 2001

Aktuale

Hyrja e xhandarmërisë serbe në Kosovë, banorët: S’është hera e parë, ky problem është që nga viti 2001

Më: 9 gusht 2020 Në ora: 20:10
Xhandarmëria serbe në territorin e Kosovës

Fshati Karaçevë në Kosovë është kthyer në qendër të vëmendjes për shkak të pretendimeve për shkelje të territorit të vendit nga xhandarmaria serbe.

Kjo ngjarje solli reagime të shumta politike, ndërsa KFOR në një reagim për Euronews Albania tha se bëhet fjalë për një patrullim të sinkronizuar dhe të tilla organizohen me policitë e dy vendeve.

Banorët e këtij fshati thonë se prej 20 vitesh kanë patur vizitorë të shpeshtë xhandarmërinë serbe. Këtë shqetësim ata e kanë përcjellë pranë autoriteteve vendore, por asnjëherë nuk ka patur reagim dhe nuk është gjetur zgjidhje.

“Nuk është hera e parë hyrja e xhandarëve serbë, e forcave paramilitare, e armatës së rregullt, e forcave të ndryshme që hyjnë në territorin e fshatit Karaçevë. Ky problem është që nga viti 2001 e deri më sot. Institucionet e Republikës së Kosovës bindshëm po ju them asnjëherë nuk janë marrë. Është tmerr çfarë ka ndodhur me Karaçevën dhe çfarë po ndodh”, tha një banor i Karaçevës.

Pas pamjeve që u publikuan në mediat vendore dhe denoncimit të autoriteteve lokale në Karaçevë, kryeministri Avdullah Hoti tha se po hartohet një raport për ngjarjen, ndërsa ministri i brendshëm, Agim Veliu tha se bëhet fjalë për një patrullim të përbashkët me KFOR.

Por, mendim krejt tjetër ndan ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila vjen nga AAK. Sipas saj patrullimi është i pautorizuar dhe mekanizmat e sigurisë nuk duhet të lejojnë ngjarje të tilla që shkaktojnë panik te qytetarët, trazojnë paqen, dhe provokojnë dhunë e vetëmbrojtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat