Porosia e pacientëve me lot në sy nga QKUK për ata që nuk i besojnë virusit

Aktuale

Porosia e pacientëve me lot në sy nga QKUK për ata që nuk i besojnë virusit

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 07:08
QKUK

Çdo dhomë e Klinikës Infektive është rrëfim në vete. Por të gjithë pacientët kanë të njëjtin armik që i ka shtrirë në shtrat.

“Unë si kam besu për veti”, thotë me gjysmë zëri njëri nga pacientët që po trajtohet tash e 20 ditë në repartin B, të klinikës Infektive.

Ai tashmë ka nisur ta marr veten, por lotët i shkojnë kur sheh përkrah tij shokun e dhomës, i cili për më shumë se një javë nuk po nxjerrë zë.

“I kisha lut popullit kujdes. Unë si kam besu dhe kam besu që e kaloj lehtë. Por kam pas dhimbje të mëdha dhe frymë skam mujt me u ngi”, thotë ai, derisa nuk ia ndanë sytë shokut të dhomës.

Frymëmarrja e tyre varet nga aparatet që i furnizojnë me oksigjen.

Varësisht nga simptomat që ka shkaktuar virusi tek secili i infektuar këtu janë të ndarë edhe në kate.

Çdo kat i klinikës ndanë pacientët nga ata që po e mundin virusin deri në shkallën e trajtimit intensiv që kanë pak gjasa të dalin të gjallë..

Më së larti është reparti intenziv, ku janë të shtrirë pacientët në gjendjen më të rëndë, ndërsa i tëri është përplot.

Virusi tek këta pacient ka kaluar në fazën e fundit dhe pjesës më të madhe të tyre ua ka shkatërruar mushkëritë.

Statistikat tregojnë se vetëm 30 për qind e pacientëve nga kjo situatë kanë arritur të mbijetojnë në botë.

Më e suksesshme është treguar Gjermania, me sistemin shëndetësor dhjetëra herë më të avancuar se ai i Kosovës.

Por nga këtu aktualisht gjasat janë minimale të shpëtohen.

E ata që ishin në prag të vdekjes dhe kanë shpresë të dalin shëndosh e mirë nga spitali u janë mirënjohës pafundësisht heronjve mantelbardhë.

Ragip Gjoshi, profesor i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, tashmë e ka fituar betejën me Covid-19. Por fillimisht e kishte neglizhuar.

“Kam kalu shumë sfida në jetë, por asnjë si kjo. Ky është një armik që nuk shihet…”, thotë profesori Gjoshi, i cili shumë shpejtë do ta lë klinikën infektive për t’iu kthyer familjes.

Ai i lutë qytetarët të jenë të kujdesëshëm dhe të zbatojnë masat mbrojtëse para se të jetë shumë vonë.

“Ishalla se provon Zoti askënd me këtë gjendje”, lutet një pacient tjetër derisa dëgjon se ende në Kosovë ka qytetarë që nuk besojnë se virusi ekziston.

E infektologu tjetër me përvojë të gjatë në këtë klinikë, Shemsedin Dreshaj, porositë qytetarët që ti shikojnë shifrat e vdekjeve në dy javët e fundit për të kuptuar situatën.

Një pjesë e madhe e atyre që po i trajton Dreshaj janë në gjendje shumë të rëndë dhe jeta e tyre varet nga aparatet e oksigjenit.

“…pa oksigjen vdesin”, thotë shkurt ai i shokuar me sjelljen e një pjese të qytetarëve karshi rekomandimeve të institucioneve kompetente për të ruajtur shëndetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat