Kush është Bekim Berisha - Abeja

Aktuale

Kush është Bekim Berisha - Abeja

Nga: N.Sh. Më: 10 gusht 2020 Në ora: 10:39
Bekim Berisha - Abeja

Më 10 gusht të vitit 1998, Bekim Berisha i njohur me nofkën “Abeja” si njëri ndër luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ra heroikisht pas një luftimi disa orësh me forcat serbe.

Berisha ka qenë njëri nga heronjtë e heshtur i cili është shfaqur pothuajse nga anonimiteti, duke u bërë mit i madh i luftës për liri. Vetëm me insistimin e ushtarëve kroatë, emri tij është bërë i njohur, kështu para gjashtë vitesh Bekim Berisha është nderuar me urdhrin “Hrvatski kriz”.

Berisha është shfaqur në vitin 1991 në Komarevë, ku thuhet se ka ardhur nga Holanda duke iu bashkëngjitur vullnetarëve të parë në Kroaci, pjesëtarëve të batalonit të 57-të të pavarur nga Sisaku, përkatësisht korit të gardës popullore.

Banorët e Komarevës akoma mbajnë mend se si duarthatë ka nxjerr nga toka granatën e pa eksploduar, me gjakftohtësi dhe lehtësi të paparë.

“Shok” është plagosur rëndë në aksionin e 16 qershorit të vitit 1992 gjatë kryerjes së detyrave luftarake në betejën e Sllavonisë lindore.

Në pranverë të vitit 1992, Bekimi ndjen thirrjen edhe të një shteti që klithte për ndihmë dhe në të cilën lufta shkaktonte zemërim – Bosnjë.

Bekim Berisha u lind më 16 qershor 1966 në Graboc të Pejës. Në Kosovë e quajnë “Abeja”. Në Kosovë i janë ngritur tetë përmendore, e emrin e tij e mban Akademia ushtarake e Kosovës, një njësit ushtarak, një kazermë ushtarake në Prishtinë… i janë kompozuar katër këngë popullore, ndërsa televizioni i Prishtinës ka realizuar një dokumentar kushtuar atij.

“Duke qenë se bëhet fjalë për një format të veçantë të madhështisë dhe legjendës, unë si bashkëluftëtar i tij ndjej nevojën të di sa më shumë për njeriun i cili aq përzemërsisht mbrojti Kroacinë, dhe të përpiqem që emri tij mos të harrohet”, pati thënë bashkëluftëtari tij, Ivica Pandza Orkan.

Kryetari i ndjerë i Kroacisë, Franjo Tuxhman, Berishën e ka përshkruar si luftëtarin që ka pasur vlerë sa 1000 ushtarë.

Ndërsa, ish komandanti i Berishës, gjenerali i ndjerë Janko Bobetko, po ashtu ka shprehur dhimbjen e tij të madhe për vdekjen e tij, duke deklaruar se Berisha ka qenë njëri nga ushtarët më të mirë dhe më të besueshëm të cilin ai e ka takuar ndonjëherë.

Legjenda e luftës së Junikut, përkatësisht e luftimeve në Kroaci, Bosnjë, Somali e gjetiu, u lind me 15 qershor 1966 në fshatin Graboc të Pejës.

 

I rritur dhe i edukuar me kujdes dhe krenari nga gjyshi dhe babai, të cilët me dashuri ia kultivuan ndjenjat kombëtare në shpirtin e njomë të luftëtarit të ardhshëm të lirisë së Kosovës, Bekim Berisha, në pamundësi që të vazhdojë studimet, u detyrua ta braktisë Kosovën. Stacioni i parë për mërgimtarin e ri nga Graboci i Pejës ishte Kroacia. Në fillim punoi si punëtor krahu. U mor me punë të rënda fizike, në mënyrë që të sigurojë egzistencën, vetëm e vetëm që ta ndihmojë familjen dhe të regjistrohet në Fakultetin e Hotelierisë në Opati dhe atë të Veterinarisë në Zagreb. Të dy këto Fakultete i përfundoi me sukses. Sa qëndroi në Kroaci, Bekim Berisha mësoi gjashtë gjuhë të huaja, kështu që arriti të lexojë edhe literaturë të ndryshme, ekonomike, turistike e deri te ajo ushtarake.

Në këtë kohë, në fillim në Kroaci e më vonë edhe në Bosnjë, shpërtheu lufta e kroatëve dhe boshnjakëve kundër regjimit kolonial serb. Edhe pse me profesion nga fusha e turizmit dhe veterinarisë, Bekim Berisha pa hezituar iu pergjigj vullnetarisht ftesës për luftë kundër këtij regjimi. Në këtë kohë Bekim Berisha jetonte në Holandë, por e la jetën perëndimore dhe u radhit përkrah luftëtarëve kroatë përkatësisht njësiteve elite kroate. Si luftëtar dhe strateg në luftën kundër serbëve në Kroaci, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë kroate e dekoroi Bekim Berishën me gradën e Gjeneralit! Nga lufta e Kroacisë Bekim Berisha kalon në luftën e Bosnjës, përsëri kunder forcave serbe, duke marrë pjesë në shumë beteja të ashpra. Situata pas luftës në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë tregonte qartë se nuk ishte e largët dita kur edhe në Kosovë do të fillonte lufta. Andaj Bekim Berisha në fillim të marsit të vitit 1998 me nje grup shokësh mërgimtarë hyn në mënyre ilegale në Kosovë, duke u sistemuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim u sistemua në Açarevë të Drenicës. Këtu filloi organizimin dhe përgaditjet e para me ushtaret e rinjë për mësimin e artit ushtarak. Më 22 prill 1998 në Açarevë Bekim Berisha me luftëtarë të tjerë të UÇK-së ngriti flamurin shqiptar dhe hapi Akademinë Ushtarake. Mirëpo në këtë kohë luftimet në mes të forcave serbe dhe atyre të UÇK-së u ashpërsuan shumë në Zonën Operative të Dukagjinit. Bekim Berisha bashkë me dëshmorin Bedri Shala shkuan në Gllogjan të Deçanit, duke u bërë kështu krah i fortë i komandantit Ramush Haradinajt dhe luftëtarëve të Dukagjinit.

Bekim Berisha tregoi shkathtësi në përgaditjen ushtarake të ushtarëve të rinjë, e sidomos edhe në bartjen, sigurimin dhe grumbullimin e armatimit. Luftëtari i UÇK-së Bekim Berisha, në Betejën e Junikut, më 29 maj 1998, u angazhua në mbrojtje të kësaj zone, e cila kishte një rëndësi të veçantë strategjike, duke dhënë kontributin maksimal në mbrojtjen e këtij fshati që të mos bie në duar të forcave serbe të cilat e kishin rrethuar me nje arsenal të madh ushtarak e njerëzor.

Dhe pikërisht rënia e Bekim Berishës ne fushë të nderit, bashkë me luftëtarët trima Bedri Shalën, Elton Zherkën, Përmet Vulen, Bashkim Lekun etj. bëri që Juniku të bie në duar të forcave serbe. Ishte kjo dita e 10 gushtit 1998 kur nga një predhë topi bie Bekim Berisha, duke hyrë në përjetësinë e luftës për çlirim të Kosovës nga forcat serbe.

Për meritat dhe heroizmin e Bekim Berishës në luftë kundër regjimit të egër serb që sundoi gati një shekull në Kosovë, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, pas përfundimit të luftës, e gradoi me gradën Gjeneralmajor. Bekim Berisha në fillim u varros në Junik. Më vonë u bë rivarrimi në vendlindje dhe aty iu ngrit lapidari që shëndrit nure dhe është udhërrëfim për brezat e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat