Demhasaj: Ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së do ta përndiqte çdo dëshmitarë të mundshëm të Speciales

Aktuale

Demhasaj: Ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së do ta përndiqte çdo dëshmitarë të mundshëm të Speciales

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 23:40
Arton Demhasaj

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu” Arton Demhasaj shpreh shqetësimin se Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ashtu si është do përndiqte penalisht edhe ata që denoncojnë veteranët e rrejshëm

“Nëse një person është dëshmitarë i mbrojtur në Hagë dhe dëshmon kundër personave të caktuar, dikujt që është anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Drejtorisë Politike të UÇK-së ai në momentin kur të kthehet në Kosovë do të akuzohet në bazë të këtij ligji se ka shkelur vlerat e UÇK-së”, ka deklaruar Demhasaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu” thotë se ligji në fjalë nuk është në kohën e duhur pasi procesi gjyqësorë në Speciale është duke u zhvilluar.

“Ky ligj me këto dispozita nëse nuk ndryshohen mundet të frikësojë shumë dëshmitarë potencial të Gjykatës Speciale”.

Demhasaj thotë se Ligji për Gjykatën Speciale i miratuar në Kuvend parashesh edhe mbrojtjen e dëshmitarëve ndërsa sipas tij Ligji për UÇK-në siç është bie ndesh me atë ligj.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu” thotë se do të jetë problematike të bindet minoriteti serb në Kosovë të respektojë vlerat e UÇK-së.

“Për ne është vlerë UÇK-ja por nuk është edhe për serbët që jetojnë në Kosovë. Prandaj ky ligj do të jetë pjesërisht i zbatueshëm pasi 5% e qytetarëve të Kosovës që janë serb nuk e respektojnë ligjin”, tha ndër të tjera Arton Demhasaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat