Shoqëria civile kërkon përsëritjen e procesit përzgjedhës për Avokat të Popullit

Aktuale

Shoqëria civile kërkon përsëritjen e procesit përzgjedhës për Avokat të Popullit

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 10:10
Foto ilustrim

Rrjeti i Grave të Kosovës, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Instituti Kipred, përmes një komunikate për media, kanë kërkuar ripërsëritjen e procesit përzgjedhës për Avokat të Popullit në përputhje me Memorandumin e nënshkruar ndërmjet Kuvendit dhe Ambasadës Britanike.

“Ne, organizatat e poshtëshënuara, përsërisim qëndrimin tonë kundërshtues ndaj procesit përzgjedhës për Avokat të Popullit të organizuar nga Paneli Vlerësues i themeluar nga Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut. Duke qenë se disa nga ne e kemi monitoruar në mënyrë direkte një proces të tillë, kemi vërejtur probleme serioze në kuptim të transparencës, respektit për parimin e meritës dhe ligjshmërisë së zbatimit të kritereve përzgjedhëse”, thuhet në këtë komunikatë.

Këto organizata kanë listuar edhe problemet me të cilat është shoqëruar ky proces.

a) Procesi përzgjedhës për Avokat të Popullit është i përcaktuar me ligj, dhe i nënshtrohet parimeve të transparencës dhe meritës së kandidatëve që konkurrojnë. Paneli Vlerësues ka bërë lëshime serioze në metodologjinë e zbatuar për të vlerësuar meritën e kandidatëve. Adresimi i një interviste formale, me disa pyetje shumë të përgjithshme, që nuk marrin parasysh të kaluaren profesionale të kandidatëve, dhe me një insistim partiak të vlerësimit, ka qenë kryefjala e intervistës me kandidatë të organizuar nga Paneli Vlerësues. Ky i fundit as nuk ka marr mundin t’i shpjegoj organizatave të shoqërisë civile se mbi cfarë kriteresh ka zbatuar një proces përzgjedhës, dhe si është e mundur që një intervistim formal me pyetje që janë tërësisht në diskrecion të gjykimit politik të deputetëve anëtarë të Panelit të jetë përcaktues i listës finale të të përzgjedhurve.

b) Paneli Vlerësues ka treguar mungesë serioze të transparencës. Ai i përjashtoi monitoruesit e shoqërisë civile nga pjesa e mbledhjes ku duhej të bëhej pikësimi i kandidatëve, dhe rrjedhimisht transparenca e vlerësimit sipas kritereve për secilin kandidat u mohua tërësisht. Një përjashtim i tillë është i paprecedent në praktiken kuvendore. Për më tepër, Paneli Vlerësues vazhdon ta mbaj të fshehtë listën e kandidatëve dhe pikët të shoqëruara me arsyetim për secilin kandidat. Paneli refuzoi t’i shpjegoj komunitetit monitorues se pse janë vlerësuar kandidatët në mënyrën e tillë, dhe cfarë bëri që shumë kandidatë ekselentë të mos hynin as në listën e tre më të mirëve.

c) Paneli Vlerësues shkeli Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Ambasadës Britanike, i cili parasheh që vlerësimi i kandidaturave për avokat të popullit të bëhet bazuar në pikësimin që bëjnë ekspertët britanikë të angazhuar nga Ambasada. Një tejkalim i tillë i Memorandumit është fakt i mjaftueshëm juridik që e bën të arsyeshëm ripërsëritjen e procesit.

“Prandaj, ne organizatat kërkojmë nga Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut të ripërsëris procesin e vlerësimit për kandidatët për Avokat të Popullit, dhe një proces të tillë ta zhvillojë në përputhje me Memorandumin e nënshkruar me Ambasaden Britanike. Kërkojmë gjithashtu transparencë të plotë, llogaridhënie për vlerësimin e bërë dhe zbatim të plotë të parimit të meritës në procesin përzgjedhës”, përfundon komunikata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat