Ferat Shala kërkon që shkollat të hapen me 1 shtator

Aktuale

Ferat Shala kërkon që shkollat të hapen me 1 shtator

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 11:25
Ferat Shala

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka kërkuar që shkollat të hapen me 1 shtator. Shala vlerëson se është ndier efekti negativ i mbylljes së shkollave.

“Shumica e qeverive në mbarë botën kanë mbyllur përkohësisht institucionet arsimore në përpjekje për të ndaluar përhapjen e pandemisë Covid-19. UNESCO vlerëson se me këtë veprim janë afektuar mbi 1 miliardë nxënës dhe studentë, ndërkohë që së paku 40 milion nxënës nuk kanë mbajtur mësim fare!

“Bota është në një moment kthese për shkollimin e fëmijëve tanë, vendimet që qeveritë tani marrin do të kenë ndikim të gjatë mbi qindra miliona të rinj dhe në perspektivën e zhvillimit të vendeve të tyre për dekadat e ardhshme” citohet të ketë thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres javën që shkoi.

Vendet e rajonit, edhe Kosova, në fillim të pandemisë, kaluan në mësimin në distancë përmes platformës youtube dhe televizioneve kombëtare. Shumë shkolla shfrytëzuan edhe platforma tjera, pa pagesë, duke iu ofruar nxënësve më shumë interaktivitet si: Zoom, Google Meet, Skype ose dhe Microsoft Teams. Por edhe megjithëkëtë shumë nxënës mbetën jashtë “bankave” të shkollës virtuale – si pasojë e mungesës së infrastrukturës, qoftë qasjes në Internet apo mungesës së një laptopi në shtëpi.

Por tani, pas pushimeve verore situata ka ndryshuar: numri i rasteve është rritur në formë eksponenciale, globalisht duke arritur mbi 20 milion të infektuar me virusin Covid-19. Por në anën tjetër e kemi ndier edhe efektin e keq të mbylljes, si në aspektin ekonomik apo edhe të mungesës së mësim-nxënies. Krahasuar me vendet e rajonit, vetëm Maqedonia Veriore qëndron më keq se Kosova, për numrin e rasteve të vdekjeve nga COVID-19 në 1 milion banorë. Pra situata është serioze dhe me seriozitet duhet të trajtohet.

Hulumtimet shkencore, lidhur me mësim-nxënien në kohë të pandemisë, tregojnë që nxënësit, me rastin e ri-hapjes së shkollave në qershor janë ndier më mirë se sa “gjatë mësimit online” në shtëpi. Tani më është bërë e ditur që mësimi online nuk e zëvendëson mësimin në klasë, në asnjë nivel! Prandaj nuk është çudi që tani edhe vendet si Britania e madhe, Norvegjia, Gjermania etj. kanë vendosur të fillojnë mësimin në shkolla – edhe pse fillimisht ishin skeptike në këtë drejtim.

Pse Kosova po hesht? Pse Qeveria dhe Ministria e Arsimit ende nuk kanë dal me plan konkret për fillimin e vitit të ri shkollor? Apo ndoshta për këtë Qeveri dhe për Ministrinë e Arsimit, hapja e kafiterive është më e rëndësishme se hapja e shkollave? Përgatitjet dhe marrja e masave higjienike dhe sanitare duhet të fillojnë menjëherë, në të gjitha shkollat – dhe ato, të gjitha të hapen me 1 shtator” shkruan Ferat Shala në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat