​Mos sigurimi i identitetit ligjor të personave të paregjistruar, paraqet shkelje të të drejtave njerëzore

Aktuale

​Mos sigurimi i identitetit ligjor të personave të paregjistruar, paraqet shkelje të të drejtave njerëzore

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 16:55
Avokati i Popullit

Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive ligjore, në cilësinë e mikut të gjykatës, publikoi sot Mendimin Juridik ex-officio nr.148/2020 në lidhje me identitetin ligjor për personat e paregjistruar.

Ky Mendim Juridik në cilësinë e mikut të gjykatës (amicus curiae), në proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, çështje të barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi, është tërheqja e vëmendjes së gjykatave në trajtimin dhe në ndërmarrjen e masave në kuadër të kompetencave dhe të përgjegjësive ligjore në lidhje me përshpejtimin e procedimit të padive me qëllim të realizimit të së drejtës themelore njerëzore, siç është identiteti ligjor për personat e paregjistruar.

Për këtë qëllim Avokati i Popullit këtë Mendim Juridik në cilësinë e mikut të gjykatës i paraqet Gjykatës së Apelit, Gjykatës Themelore në Prishtinë, Gjykatës Themelore në Pejë, Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Avokati i Popullit, pas rishikimit të legjislacionit përkatës, instrumenteve ndërkombëtare, dokumentacionit të çështjes, të informatave dhe të të dhënave që i ka, del se në rastin konkret, mossigurimi i identitetit ligjor të personave në fjalë përmban shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përkatësisht të të drejtave të fëmijëve.

Avokati i Popullit, në pajtim me Ligjin për Avokatin e Popullit dhe me legjislacionin relevant në fuqi, nuk ka kompetenca ndaj vendimeve të gjykatave të cilat ndërlidhen me rastet në fjalë.

Sa i përket kësaj çështjeje, në frymën e interesit më të mirë të fëmijëve dhe të personave të tjerë të rritur, Avokati i Popullit rikujton se parimi i shtetit të së drejtës obligon autoritetet publike, përfshirë gjykatat, që t’i kushtojnë rëndësi dhe kujdes të veçantë zbatimit praktik të instrumenteve ndërkombëtare dhe të akteve vendore të kësaj fushe.

Avokati i Popullit inkurajon gjykatën që rastet e tilla të trajtohen me prioritet, në kohë të arsyeshme dhe në mënyrë unike në tërë territorin e Kosovës, pos tjerash, në harmoni me praktikat dhe me standardet ndërkombëtare.

Ky Mendimi Juridik në cilësinë e mikut të gjykatës është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse dhe i njëjti u është dërguar mediave dhe është publikuar në ueb-faqen zyrtare të Institucionit të Avokatit të Popullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat