Banorët e Karaçevës kërkojnë që shteti të kujdeset për sigurinë e tyre: Xhandarmeria serbe hyn që 19 vite

Aktuale

Banorët e Karaçevës kërkojnë që shteti të kujdeset për sigurinë e tyre: Xhandarmeria serbe hyn që 19 vite

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 13:28
Protesta

(E plotësuar) - Banorët e fshatit Karaçevë sot kanë protestuar kundër hyrjes së xhandarmërisë serbe në këtë fshat. Kryetari i Këshillit Lokal të fshatit Karaçevë, Selver Lenjani tha se që nga vitit 2001 e deri më sot në territorin e Kosovës vazhdimisht kanë hyrë pjesëtarë të xhandarmërisë serbe dhe patrullimi i fundit nuk ka ndodhur për herë të parë.

Kritika për mospjesëmarrje në këtë protesta Lenjani ka adresuar edhe për kryetarin e komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Ai i bëri thirrje institucioneve serbe që t’i ndalin provokimet në këtë pjesë të Kosovës.

Lenjani: Që 19 vite institucionet nuk janë marrë me Karaçevën

“Të nderuara institucione po ua bëj me dije që 19 vjet, as presidenti i Kosovës, as kryeministri, as kryeparlamentarja, as deputetët e Republikës se Kosovës nuk jeni marrë me Karaçevën , mirëpo megjithatë banorët stoikisht kanë qenë. Vallë i nderuar ku gjendesh Qëndron Kastrati”, tha ai.

Lenjani tha se pas reagimet të fundit për hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë janë shtuar patrullimet e Policisë së Kosovës në këtë anë.

Lenjani: janë shtuar patrullimet nga Policia e Kosovës

“Tash janë shtuar patrullat e Policisë së Kosovës mirëpo kërkoj që patrullat e policisë të jenë tek Ura e Mohovcit, atje të stacionohen, dhe kërkoj nga kryetari i komunës (së Kamenicës, Qëndron Kastrati) që ekskavatori tua hap rrugën policisë për kodër atje”, tha ai.

Banori më i vjetër i fshatit Karaçevë, Ismajl Kastrati tha se armiku serb po tenton ta marrë këtë pjesë të tokës së Kosovës.

Ai tha se provokimet e xhandarmërisë serbe bëhen me qëllimn e vetëm që këta banorë të shpërngulen nga ky fshat.

Kastrati: Serbia do që ne të shpërngulemi nga këtu

“Këtë uzurpim që e ka bërë këtu Serbia e ka bërë me plan të planifikuar me qëllim që edhe këto dy bashkësi lokale çka janë këtu ta lëshojnë vendlindjen, të largohen dhe të jetë kufiri administrativ i zbrazur dhe mos të ketë popullatë shqiptare.. nuk është hera e parë që kanë ardhur këtu e dinë edhe KFOR-i vetë pasi si plak kam bashkëpunuar me KFOR-in 10 vite, sa herë që i kam thirrur kanë ardhur, edhe dy ushtarë nëse kanë hyrë brenda kufirit administrativ 10 metra i kanë zënë”, u shpreh ky banor.

Ish-kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, i cili është edhe banor i kësaj ane, kërkoi të ofrohet siguri nga institucionet e Kosovës për të gjithë këta banorë të kësaj zone kufitare.

Surdulli: Institucionet e Kosovës kanë bërë pak për problemin e Karaçevës

“Institucionet e Kosovës deri tani kanë bërë shumë pak për këtë problem, me siguri kanë pasur probleme më të mëdha, por edhe ky është ndër problemet që kërkon të merret më shumë, si parlamenti, presidenca, qeveria e Kosovës... këta qytetarë, duke përfshirë vetën dhe familjen time, duam të kemi siguri dhe mos të kemi frikë, nga frika ka raste që edhe janë shpërngulur njerëzit”, tha Surdulli.

Në mbështetje protestuesve u doli edhe ish-deputeti i Kosovës, Gani Geci i cili tha se është koha që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësinë për këtë pjesë.

Sipas tij, duhet të ngrihen kapacitetet për mbrojtjen e brezit kufitar me Serbinë.

Geci: Institucionet të marrin situatën nën kontroll

“Kuvendi i Republikës së Kosovës në vend që të merret me ngritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e brezit kufitar, në ngritje të kapaciteteve të FSK dhe Policisë së Kosovës ata merren me mbrojtjen e individëve. Janë ndarë miliona euro për të mbrojtur disa individë që do i përgjigjen Gjykatës Speciale, ndërsa nuk është ndarë asnjë mjet për mbrojtjen e brezit kufitar. Ka kaluar koha e luftërave, tash kemi institucione, ato duhet ta marrin situatën nën kontroll prej presidentit, kryeministrit, Kuvendit të Kosovës duhet marr përgjegjësinë për këtë”, tha ai.

Që nga paslufta banorët e Karaçevës kanë kërkuar që menaxhimi i kësaj zone të merret nën kompetenca të institucioneve të Kosovës, pasi kjo pjesë menaxhohet nga KFOR-i. Këta të fundit, u panë duke mbikëqyrur edhe protestën e sotme.

Në pikë kontrollën në këtë brez kufitar shfaqeshin herë pas here edhe xhandameria serbe.

Deri tek kjo protestë erdhi pasi që xhandarmeria serbe ditë më parë ka hyrë në fshatin Karaçevë. Ky veprim ka ngjallur reagime të mëdha nga institucionet vendore.

***

Pas patrullimeve të xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë, banorët e brezit kufitar me Serbinë kanë mbajtur një protestë si shenj pakënaqësie.

Protestuesit për një kohë e kanë bllokuar rrugën që të shpie nga Kamenica në Karaçevë.

Ata po mbajnë pankarta me mbishkrimet “NATO faleminderit në mbështetje të plotë”, “KFOR faleminderit në mbështetje të plotë”, “Serbia mjaftë me provokime ndaj banorëve të Republikës së Kosovës”, “Kosova nuk ka tokë t’i fal askujt”, etj.

Selver Lenjani, banor i kësaj ane ka kërkuar më shumë vëmendje institucionale për këtë pjesë të territorit të Kosovës.

Madje ai kërkoi edhe rezolutë për mbrojtje të territorit të Karaçevës.

Për të mbështetur banorët e Karaçevës në protestë ishte i pranishëm edhe ish-deputeti, Gani Geci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat