Futja e PDK-së në Qeveri përçan partnerët e koalicionit?

Aktuale

Futja e PDK-së në Qeveri përçan partnerët e koalicionit?

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 14:49
Ramush Haradinaj, Isa Mustafa

Isa Mustafa është i gatshëm për të qeverisur edhe një herë me PDK-në, “për çështje jetike të vendit”, e bashkë me të edhe  Nisma e Fatmir Limajt.  Por, nga AAK duket se nuk janë shumë komod me këto qëndrime. Ata mbrëmë dhanë sinjale se e duan Ramush Haradinajn për President të vendit, e pikërisht kjo mund t’i bëjë edhe më shumë lëmsh punët. Xhavit Haliti i PDK’së mbrëmë tha se kjo parti duhet të bëhet pjesë e Qeverisë. E analisti Imer Mushkolaj thotë se edhe ky subjekt synon të marrë postin e Presidentit nëse bëhet pjesë e koalicionit.

Lëvizja Vetëvendosje i ka lansuar akuzat e para se PDK i ka nisur pazaret për poste ministrore në Qeverinë Hoti, tashmë kur  kreu i LDK’së Isa Mustafa është deklaruar haptas pro përfshirjes së partisë që drejtohet nga Kadri Veseli.   

Mustafa është i gatshëm që tripleta e PAN’it të bëhet bashkë përsëri në Qeveri, me LDK’në aty, sepse, sipas tij që nga koha e zgjedhjeve, kur ai u zotua se nuk bashkëpunon me PDK’në, kanë ndryshuar rrethanat dhe se vendit i duhet  stabilitet për temat e mëdha.

Derisa përplasjet mes AAK’së dhe LDK’së u thelluan gjatë fundjavës, e kryeministri Avdullah Hoti e quajti “defilim” shkuarjen e Haradinajt në Karaçevë, Isa Mustafa një ditë pas i tha se nuk e përjashton PDK’në si partnere të ardhshme.

“Në zgjedhjet e fundit jemi deklaruar se nuk bëjmë koalicion me PDK-në. Edhe PDK, pas zgjedhjeve është deklaruar se do të qëndrojë në opozitë. Mendoj se situata e Pandemisë, paralajmërimi i aktakuzave  për një numër të përfaqësuesve të lartë sikurse edhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, kërkon një qasje tjetër”, tha Mustafa duke shtuar “Të mos jemi përjashtues ndaj njëri-tjetrit dhe të sigurojmë pajtim për çështje jetike për vendin”.

PDK’ja zyrtarisht nuk ka dhënë akoma asnjë qëndrim të sajin rreth mundësisë që të kalojë nga opozita në një Qeveri, që do ta linte vetëm Lëvizjën Vetëvendosje jashtë.

Zyra për Media e PDK’së i ka thënë sot se në asnjë moment nuk e kanë diskutuar kalimin nga opozita në Qeverinë.

“As prej kryetarit të partisë, as në kryesi, e as në këshillin drejtues të partisë nuk është diskutuar kjo çështje”, ka thënë Zyra për media e PDK’së.

Por, zyrtarë të lartë e me ndikim në parti konsiderojnë se duhet të bëhen pjesë e qeverisë Hoti.

“Po, PDK-ja duhet t’i bashkohet Qeverisë Hoti”, ka thënë  Xhavit Haliti në Tv Dukagjini i cili në PDK drejton departamentin për grupe të interesit.

AAK’ja akoma nuk ka dhënë qëndrim zyrtar rreth mundësisë që PDK’ja t’i bashkohet Qeverisë, veçse Haradinaj ka mbledhur kryesinë e partisë për sot (e mërkurë) në orën 16:00. Burimet brenda kryesisë i kanë thënë se do të diskutojnë edhe për koalicionin qeverisës, pjesë e të cilit janë.

Por, nga AAK kanë dhënë sinjale se e duan Ramush Haradinaj President të vendit.

“Unë jam që Ramush Haradinaj të jetë president. Do ta udhëhiqte vendin me lidership. Me trimëri. Në situata në të cilat unë vetë jam dridhur, në situata të cilat nuk dua të flas se sa vështirësi kemi pasur. Ai ka qenë i palëkëndur” ka thënë mbrëmë në Pressing Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj – Halimi, që vjen nga Nisma, thotë se partia e saj është pro hyrjes së PDK’së.

“Ne e kemi qëndrimin se edhe PDK-ja duhet të jetë pjesë e kësaj qeverie. Për shkak se ne duam të jemi unik përballë Serbisë me dialog dhe secili subjekt politik që i bashkohet kësaj ideje që qëllimi kryesor të jetë njohja mes dy shteteve të jemi më të qëndrueshëm dhe bashkuar”, ka thënë ajo gjatë fundjavës.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se Mustafa po e dëshiron përfshirjen e PDK’së në Qeveri për ta minuar rolin e AAK’së në koalicion.

“Mustafa po kërkon që PDK të përfshihet në koalicion sepse është e vështirë që qeveria Hoti të mbijetojë pa PDK-në. Po ashtu, ai dëshiron përfshirjen e PDK-së në mënyrë që të zbeh rolin e AAK-së në koalicion”.

Kryetari i LDK’së, të dielën për ka thënë se, përvec dorëzimi i aktakuzave për Thacin e Veselin, edhe cështja e Presidentit në fund të vitit kërkon një marrëveshje.

“Rrethanat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë pas paralajmërimit të aktakuzave nga Prokurori i  specializuar. Edhe mos të ishte kjo, në fund të vitit do duhej të uleshim e të merremi vesh për zgjedhjen e Presidentit. Në çdo variantë mungesa e një dakordimi për zgjedhje të  Presidentit na çon në zgjedhje të reja”, tha ai.

 Mushkolaj thotë se pikërisht çështja e Presidentit është një prej arsyeve pse, sipas tij, Mustafa e do PDK’në

“Me përfshirjen e PDK-së në koalicion, gjasat do të ishin që kësaj partie t’i takojë posti i presidentit, vitin e ardhshëm. Po ashtu, me PDK-në në qeveri, në njëfarë forme do të garantohej edhe vazhdimësia e dialogut me Serbinë, që po kërcënohet nga qëndrimet e AAK-së dhe të Ramush Haradinajt i cili, siç duket, qasjen e tillë karshi qeverisë më tepër e ka vënë në funksion të krijimit të rrethanave për zgjedhjen e tij president, sesa që ka të bëjë me parimet e funksionimit të koalicionit. Mustafa po e fton tash PDK-në të bëhet pjesë e qeverisë, pavarësisht qëndrimit “kurrë më me PDK-në”.  I mbetet PDK-së nëse do të mbajë ose jo qëndrimin se do të qëndrojë në opozitë” thotë Mushkolaj.

Qeveria e përbërë nga LDK, AAK, Nisma Socialdemokrate dhe minoritetet është votuar me 3 qershor, me 61 vota pro. Kjo është qeveria e dytë e zgjedhur nga legjislatura që doli prej zgjedhjeve të 6 tetorit. Qeveria e fundit e Kosovës, ajo e Kurtit, pati jetëgjatësi prej 4 muajve, pasi LDK’ja i ngriti mocion votëbesimi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat