Posti i Presidentit, Lutfi Haziri i kundërpërgjigjet Ramush Haradinajt

Aktuale

Posti i Presidentit, Lutfi Haziri i kundërpërgjigjet Ramush Haradinajt

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 22:13
Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se deri më tani, partnerët e koalicionit qeverisës, nuk kanë diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

“Derisa e kemi këtë gjendje, nuk kemi zhvillim tjetër politik, nuk e kemi parë të arsyeshme të flasim për çështjen e presidentit. Fundja, në afatin kushtetues presidenti e ka mandatin e vet. Nëse pretendimet e prokurorit të specializuar konfirmohen nga ana e Gjykatësit i rastit, atëherë LDK-ja bisedon me partnerët dhe partitë tjera politike”, ka thënë Haziri.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Partnerët e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk janë marrë vesh se kush do të zgjidhet president pas skadimit të mandatit të presidentit Thaçi më 2021.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me votat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Këshilli drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeverisës, ka diskutuar të mërkurën për mundësinë e propozimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, si kandidat për president të ardhshëm të vendit.

Vetë Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook e ka konfirmuar se mund të jetë kandidat për president.

“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar Haradinaj.

Partia Nisma Socialdemokrate e cila është pjesë e koalicionit qeverisës ende nuk e ka komentuar deklaratën e Haradinajt.

Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi i tha Radios Evropa e Lirë se nëse Haradinaj nuk e ka përkrahjen e partnerëve të koalicionit” nuk do të arrijë të jetë as kandidat dhe lere më të zgjidhet për president”.

“Ky nominim i njëanshëm i AAK-së nuk do t’i kontribuojë relaksimit të raporteve ndërmjet partnerëve të koalicionit, ndonëse posti i presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes së koalicionit”, tha Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat