S’ka kuorum për shqyrtim të Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, Agron Beka zgjedhet anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Aktuale

S’ka kuorum për shqyrtim të Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, Agron Beka zgjedhet anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 11:12
Seanca e Kuvendit të Kosovës

(E plotësuar) -  Agron Beka e Azem Hajdari kanë qenë kandidatët në garë për zgjedhjen si anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës së Kosovës.

Nga këta dy anëtarë, deputetët në seancë plenare kanë votuar me 33 vota për Agron Bekën, si anëtar të KPK-së.

Pas raundit të dytë të votave, në votim kanë marrë pjesë 87 deputetë, të pavlefshme kanë qenë 30 fletëvotime. Për Azem Hajdarin kanë votuar 24 deputetë, ndërsa për Agron Bekën 33.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala ka njoftuar se anëtar i KPK-së është zgjedhur Agron Beka.

Shala: Me 33 vota anëtar i KPK-së është zgjedhur Agron Beka 

“Konstatoj që Kuvendi zgjodhi z.Agron Beka me 33 vota anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës me mandate pesë-vjeçar”, tha ai. 

***

Nga katër kandidatë sa janë përzgjedhur nga komisioni, deputetët në seancën e sotme plenare kanë votuar për dy prej tyre.

Driton Muharremi, Hashim Çollaku, Hasim Sogojeva dhe Vilard Bytyqi kanë qenë kandidatët në garë për anëtarë të KGJK-së. Driton Muharremi e Vilard Bytyqi janë anëtarët e zgjedhur të KGJK-së.

Pas raundit të dytë të votave, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi në emër të Komisionit për Legjislacion ka njoftuar se në votim kanë marrë pjesë 87 deputetë.

Musliu-Shoshi: Në votim kanë marrë pjesë gjithsej 87 deputetë

“Në votim kanë marrë pjesë gjithsej 87 deputetë. Vota të pavlefshme janë një. Ndërsa votat i kanë marrë si në vijim: Driton Muharremi 45 vota, Hashim Çollaku 33 vota, Hasim Sogojeva 35 vota dhe Vilard Bytyqi 37 vota”, tha ajo.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala tha se në bazë të këtij raporti dy anëtarët e zgjedhur të Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë Driton Muharremi dhe Vilard Bytyqi.

Shala: Muharremi e Bytyqi janë anëtarët e KGjK-së

“Në bazë të raportit të komisionit votues, Kuvendi zgjodhi Driton Muharremi dhe Vilard Bytyqi anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me mandat pesëvjeçar. Muharremi i ka marrë 45 vota dhe Bytyqi 37 vota”, ka njoftuar Shala.

Zgjedhja e kandidatëve për anëtarë të KGJK-së bëhet me votim të fshehtë dhe mandati i tyre është pesëvjeçar. 

****

Ka nisur seanca plenare, ndërkohë që pritej shqyrtimi në lexim të parë të Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo pikë e rendit të ditës është tejkaluar meqë nuk ka pasur kuorum.

Ky projektligj ka hasur në kritika të mëdha të faktorit ndërkombëtar, meqë sipas tyre kufizon lirinë e shprehjes, ndërkohë që edhe parti në vend e kanë kundërshtuar.

Gjatë kësaj seance pritet edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, zgjedhja e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës, zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, zgjedhja e shtatë anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Deputetët po ashtu do të shqyrtojnë propozim-vendimin për caktimin e pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Po ashtu, do të shqyrtohet kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë për miratimin e Buxhetit të këtij Komisioni dhe propozimi i GP të LVV për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat