​Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë tërheqjen e Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së

Aktuale

​Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë tërheqjen e Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 12:52
UÇK

Organizatat e shoqërisë civile u bëjnë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, konkretisht propozuesit të projektligjit Gazmend Bytyqi që të tërheqë projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

“Ne kemi ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në lidhje me këtë projektligj dhe besojmë se si i tillë projektligji nuk është në përputhje me të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Veçanërisht, projektligji aktual cenon lirinë e shprehjes, ndërsa minon përpjekjet drejt arritjes së drejtësisë për të gjithë viktimat dhe të mbijetuarit nga të gjitha grupet etnike”, thuhet në një deklaratë për media.

Sipas nenit 40 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, liria e shprehjes është një e drejtë e garantuar dhe përfshin të drejtën e njerëzve për t’u shprehur, përhapjen dhe marrjen e informacionit, opinioneve dhe mesazheve të tjera pa ndonjë pengesë.

Organizatat e shoqërisë civile kujton se në nenin 5 të projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, thuhet se "çdo zyrtar publik dhe qytetar i Republikës së Kosovës është i detyruar të respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe rrethanë brenda vendit dhe jashtë.”

“Ky artikull shkel qartë lirinë e shprehjes të garantuar me Kushtetutë dhe si i tillë nuk duhet të pranohet. Për më tepër, projektligji i propozuar është shumë shqetësues kur merret parasysh diskutimi i përgjithshëm publik dhe implikimet politike rreth rolit dhe trashëgimisë së UÇK-së. Ka pasur një numër rastesh në të kaluarën kur njerëzit janë linçuar kur kanë shprehur publikisht mendimet e tyre për UÇK-në dhe individët që kanë qenë pjesë e UÇK-së”, thuhet në tej në deklaratë.

Për më tepër, miratimi i këtij ligji, sipas organizatave të shoqërisë civile, do të krijonte mundësinë për iniciativa të tjera që shkelin këtë të drejtë dhe si i tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm.

“Prandaj, ne i bëjmë thirrje anëtarëve të parlamentit të jenë vigjilentë dhe të përqendrohen në mbrojtjen e lirisë së shprehjes si një e drejtë bazike e njeriut dhe një vlerë themelore demokratike. Ne besojmë se përpjekjet tona institucionale dhe kolektive duhet të përqendrohen në paqe dhe pajtim, duke mbështetur dhe respektuar dinjitetin e të gjithë viktimave dhe të mbijetuarve të të gjitha etnive nga lufta e fundit në Kosovë dhe duke kërkuar drejtësi për të gjithë”, përfundon deklarata e organizatave të shoqërisë civile Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë (YIHR KS), Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (HLC), Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT), Integra Alternative Dispute Resolution Center (ADRC) dhe Nisma e Re Sociale (NSI).

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë votuar në parim Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, pasi që në mungesë kuorumi kjo pikë e rendit të ditës kthehet prapa për votim në ndonjë rast tjetër.

Projektligji ka hasur në kritika të mëdha të faktorit ndërkombëtar, meqë sipas tyre kufizon lirinë e shprehjes.

Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Vlerë e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtje institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore.

Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa i llogaritur edhe investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës.

Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, është propozuar nga PDK, fillimisht në prill 2018, ndërkaq në tetor të po atij viti ishte shqyrtuar në parim nga Komisioni i njëjtë funksional.

Por, sipas zyrtarëve të PDK-së, procedimi i mëtejmë i këtij projektligji kishte ngecur për shkak të ndryshimeve në udhëheqjen e ekzekutivit të vendit, gjatë vitit 2019. Më 30 prill 2020, Partia Demokratike e Kosovës, sërish i ka propozuar Kuvendit të Kosovës të njëjtin projektligj, pa ndonjë ndryshim në përmbajtje.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett ka thënë se ky ligj, pa marrë parasysh qëllimet e tij, nuk është në përputhje me zotimin për liritë themelore që janë në thelb të Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, miratimi i ligjit, në formën e tanishme, do të dobësonte demokracinë e Kosovës.

E kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se ambasadori Kosnett ka pasur vërejtje në dy nenet e këtij ligji dhe jo si tërësi.

Neni i pestë i ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës parasheh që çdo zyrtar publik dhe qytetar i Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me ligj në çdo kohë dhe rrethanë brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa, neni i nëntë parasheh që shkelja e dispozitave të këtij ligji sanksionohen sipas legjislacionit në fuqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat