Odat ekonomike kërkojnë themelimin sa më të shpejtë të Gjykatës Komerciale

Aktuale

Odat ekonomike kërkojnë themelimin sa më të shpejtë të Gjykatës Komerciale

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 13:31
Pamje nga takimi

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot është takuar me përfaqësues të Odave ekonomike në Kosovë me të cilët ka diskutuar për rimëkëmbjen ekonomike gjatë dhe pas pandemisë Covid-19, si dhe për themelimin e Gjykatës Komerciale, me ç‘rast u theksua rëndësia e kësaj gjykate për bizneset dhe investitorët në Kosovë.

Selimi vuri në dukje se Ministria e Drejtësisë së bashku me partnerët strategjikë, SHBA-në, ka ndërmarrë iniciativë për të finalizuar ligjin për Gjykatën Komerciale që sipas tij do të trajtojë çështjet e kontesteve komerciale.

“Çështja e Gjykatës Komerciale ka dalë nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe është parë si shumë e nevojshme për t’iu qasur në mënyrë më serioze kontesteve komerciale. Artikulimi në një shtyllë i çështjeve komerciale i zgjidhë ato me ekspertizë, ulë riskun e të bërit biznes, riskun e kontesteve, riskun e fitimit pasi mbrohet me një gjykatë e cila merret ekskluzivisht me këtë çështje”, ka thënë ai.

Sipas tij, themelimi i Gjykatës Komerciale fuqizon sistemin e drejtësisë në vendin tonë dhe ofron siguri për çdo biznes dhe investitor në Kosovë.

“Përfitim kryesor i themelimit të gjykatës është se të gjitha kontestet ndërmjet bizneseve, por edhe të gjithë afaristët do të kenë një adresë. Kërkesë të veçantë kam pasur që të ekzistojë një panel i veçantë për investime direkte të huaja, në mënyrë që kjo të ofrojë siguri për investitorët e jashtëm”, tha Selimi.

Ndërsa përfaqësuesit e Odave, falënderuan ministrin Selimi për bashkëpunim, duke vlerësuar të rëndësishëm themelimin sa më të shpejtë të Gjykatës Komerciale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat