Ligji për UÇK-në, zëdhënësi i PDK-së “sulmon” ambasadat, tregon se kush po “dezerton” nga frika e ndërkombëtarëve

Aktuale

Ligji për UÇK-në, zëdhënësi i PDK-së “sulmon” ambasadat, tregon se kush po “dezerton” nga frika e ndërkombëtarëve

Nga: A.M. Më: 13 gusht 2020 Në ora: 14:32
Foto e publikuar ne Facebook nga Avni Bytyci

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka thënë se Ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së duhet të miratohet.

Po ashtu, ai në postimin në Facebook, ka shkruar se Draft ligji është në procedurë, për t’u përmirësuar, dhe se ai duhet të trajtohet në Kuvend.

“Shqetësimet e Ambasadës Amerikane dhe ambasadave të tjera, janë ekzagjeruar. Ata e kanë ditur shumë mirë që edhe nga Partia Demokratike e Kosovës ka pasur vullnet gjithmonë për t’i adresuar shqetësimet e tyre edhe në fakt çdo shqetësim”, ka shkruar ai në Facebook.

Postimi i plotë:

Ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së është larg të përsosurës, mund të ketë edhe gjëra që mund të adresohen. Por ai duhet të miratohet!

Draft ligji është në procedurë, për t’u përmirësuar, ai duhet të trajtohet në Kuvend, deputetët nuk duhet të kenë frikë e të “dezertojnë” nga frika e ndërkombëtarëve.

Shqetësimet e Ambasadës Amerikane dhe ambasadave të tjera, janë ekzagjeruar. Ata e kanë ditur shumë mirë që edhe nga Partia Demokratike e Kosovës ka pasur vullnet gjithmonë për t’i adresuar shqetësimet e tyre edhe në fakt çdo shqetësim.

Ka qene momentumi i mirë që shumë gjëra të adresohen lidhur me historinë e popullit tonë, luftën e saj të drejtë dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Çdo draft ligj, mund të ndryshohet, nga titulli dhe çdo dispozitë e saj. Kuvendi i Republikës së Kosovës përmes mekanizmave të saj gjithmonë sigurohet që ligjet të cilat miratohen janë në përputhje me Kushtetutën e vendit, konventat ndërkombëtare dhe Acquis communautaire.

Kështu që, në vend se debati publik të fokusohet në përmbajtje, ai është zhvendosur padrejtësisht në tema që tjetërsojnë qëllimin fisnik të këtij ligji, e që padyshim nuk është frikësimi, apo kufizimi i lirisë së shprehjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat