Dumoshi: MKRS me 15 projekte në Deçan

Aktuale

Dumoshi: MKRS me 15 projekte në Deçan

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 14:36
Vlora Dumoshi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, gjatë një vizite sot në Deçan, ka shprehur mbështetjen e ministrisë që ajo drejton për vazhdimin e përkrahjes për këtë komunë përmes projekteve të ndryshme në fushën e kulturës.

Dumoshi gjatë kësaj vizite është takuar me kryetarin Bashkim Ramosaj me të cilin ka biseduar për projektet e përbashkëta mes MKRS-së dhe Komunës, investimet që janë duke u zhvilluar dhe ato që janë në plan të realizohen vitin e ardhshëm.

Konkretisht bëhet fjalë për 15 projekte në të cilat ministria është duke investuar në Komunën e Deçanit, në fushat e kulturës, trashëgimisë, rinisë dhe të sportit, si shtëpi të kulturës, biblioteka, 6 restaurime të kullave, qendrën rinore, sallën sportive e fushat e poligonet sportive.

Pas takimit të mbajtur në komunë, ministrja Dumoshi deklaroi se qyteti i Deçanit ka një vlerë të madhe në trashëgiminë kulturore të Kosovës, andaj MKRS do të vazhdojë përkrahjen për këtë komunë.

Dumoshi: Kemi 15 projekte në Deçan

"Ministria e Kulturës. gjerësisht Qeveria e Kosovës, një numër shumë të konsiderueshëm të infrastrukturës si në kulturë, në trashëgimi dhe në sport është duke punuar në komunën e Deçanit në 15 projekte. Do të thotë nga shtëpitë e kulturës, biblioteka, diku 6 restaurime të kullave, të cilat janë specifikë e kësaj pjese të Deçanit", tha Dumoshi.

Ndërsa i pari i Deçanit, Ramosaj deklaroi se projektet e përbashkëta me MKRS, do t’i japin një pamje tjetër kësaj komune.

Ramosaj: Projektet e MKRS do ta ndryshojnë Deçanin

"Ne kemi projekte të përbashkëta dhe këto projekte janë të shumë. Këto projekte janë të rëndësisë së veçantë, sepse do t’i japin kuptim të veçantë qytetit të Deçanit, si në aspektin e trashëgimisë kulturore, historike po ashtu edhe në aspektin e trashëgimisë natyrore. Janë investime të cilat do ta bëjnë Deçanin të duket ndryshe", tha i pari i kësaj komune.

Dumoshi dhe Ramosaj kanë vizituar edhe monumentet kulturore, duke përfshirë kullat "Sadik Ibishi" dhe "Adem Qerim Osdautaj", të cilat do të restaurohen nga MKRS. Ajo bëri të ditur se janë në përzgjedhje të operatorit, i cili do ta kryejë këtë restaurim dhe pret që për një kohë shumë të shkurtër ky projekt të finalizohet.

Dumoshi: Kullat do të restaurohen shumë shpejt

"Fshati Isniq njihet me shumë kulla por këto kulla kanë një domethënie shumë të madhe, kanë domethënien e qëndresës, mbrojtjes së popullatës ndër vite. Kështu që kjo është e një rëndësie shumë të madhe... Familja Osdautaj një kohë të gjatë e ka pritur këtë dhe ky është një lajm i mire për të zotin e shtëpisë dhe fshati Isniq të bëhet një pikë e turizmit kulturor”, tha Dumoshi.

Rrustem Osdautaj, i cili përkujdeset për kullën "Adem Qerim Osdautaj", tha se kullat në fshatin Isniq kanë një vlerë të madhe kulturore.

Osdautaj: Kullat në Isniq me vlerë të madhe

"Ky vend, siç tha edhe ministrja, ka një trashëgimi të madhe. Ju duket e vogël, por këtu kanë qenë njerëz të mëdhenj. Djali i Isa Boletinit këtu ka qëndruar për tri vjet", tha ai.

Ministrja Dumoshi ka vizituar edhe kullën në Gllogjan, ndërsa ka bërë edhe homazhe pranë varrezave të dëshmorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat