FSSHK kërkesë Qeverisë: Mos i diskriminoni punëtorët shëndetësorë

Aktuale

FSSHK kërkesë Qeverisë: Mos i diskriminoni punëtorët shëndetësorë

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 15:03
Foto ilustrim

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), ka thënë se Qeveria po tenton t’i diskriminojë të punësuarit në institucione shëndetësore.

Ky diskriminim sipas FSSHK-së po vie për shkak të aprovimit të shtesave mbi pagën, vendim ky që u mor më 29 korrik të këtij viti.

“Me vendim të datës 29.07.2020 Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar shtesën mbi pagë me të cilin vendim ka diskriminuar të punësuarit në institucione shëndetësore duke bërë seleksionim të padrejtë”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, thuhet se ky vendim përveç që është diskriminues dhe demotivues, ai po ashtu i atakon të punësuarit në institucione shëndetësore dhe popullatën e gjerë.

“FSSHK ka reaguar me kohë duke e cilësuar këtë vendim diskriminues, demotivues për të gjithë të punësuarit në institucione shëndetësore, për shkak se vet virusi COVID-19 nuk po bën seleksionim, por po i atakon të gjithë të punësuarit në institucione shëndetësore dhe popullatën e gjerë. E nderuara Qeveri, situata në terren është shumë e rëndë andaj nuk është momenti që me vendimet tuaja të krijoni kushte drejt kollapsit të institucioneve shëndetësore”, vazhdon komunikata.

Nga FSSHK i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të veprojnë konform situatës së krijuar nga COVID-19 dhe të mos diskriminohen punëtorët shëndetësorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat