​Këta janë kandidatët për kryesues të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit

Aktuale

​Këta janë kandidatët për kryesues të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 16:30
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës po voton për zgjedhjen e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit. Nga tre kandidatë sa janë përzgjedhur nga komisioni, deputetët do të votojnë për një prej tyre. Bastri Sallahu, Ibrahim Krasniqi dhe Merita Shaqiri-Berisha janë kandidatët që janë në garë për kryesues të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Nënkryetarja e Komisionit Funksional për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, Doruntinë Maloku tha se kanë aplikuar tetë kandidatë. E kryesuesi ka mandat tre vjeçar, i cili zgjidhet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës me mundësi të rizgjedhjes për vetëm edhe një mandat.

Maloku: Komisioni përkatës parlamentar ka shpallur konkursin 15 ditorë

“Në bazë të nenit 42, 2 të Ligjit 05L 042 për rregullimin e shërbimeve të ujit, komisioni përkatës parlamentar ka shpallur konkursin 15 ditorë. Komisioni Parlamentar Përkatës pas pranimit të dosjes së aplikantëve i dërgon Kuvendit të Republikës së Kosovës së paku dy kandidatë për votim në kuvend. Komisioni për Ekonomi si komision përkatës me datën 17 qershor 2020 mori vendim për formimin e panelit për zgjedhjen e kryesuesit të komisionit shqyrtues të ARREU në këtë përbërje: Endrit Shala nga Nisma kryesues, Elbert Krasniqi nga Vetëvendosje, Doruntinë Maloku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës, Palë Lekaj nga AAK, Zoran Mojsilloviq nga Lista Serbe dhe Adem Hoxha nga 6+”, tha ajo.

Konkursi është hapur nga Kuvendi i Kosovës nga data 1 qershor dhe ka përfunduar me datën 15 qershor. Maloku ka treguar emrat e tre kandidatëve të cilët po votohen në Kuvend të Kosovës.

Maloku: Bastri Shala, Ibrahim Krasniqi dhe Merita Shaqiri-Berisha janë kandidatët

“Pas shqyrtimit të aplikacioneve të kandidatëve u konstatua se kanë aplikuar tetë kandidatë, gjashtë kandidatë i kanë plotësuar kushtet formale sipas ligjit dhe duhet të ftohen për intervistë, ndërkaq dy kandidatë nuk i kanë plotësuar kushtet formale ligjore dhe janë eliminuar nga lista e ngushtë… Në bazë të lartcekurave me datën 15 korrik 2020, komisioni pas shqyrtimit të raportit të panelit vendosi t’i propozojë kuvendit dhe të zgjedhë me votim të fshehtë një nga tre kandidatët e propozuar për kryesues të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullativ të Shërbimit të Ujit me mandate tre vjeçar si në vijim: Bastri Sallahu, Ibrahim Krasniqi dhe Merita Shaqiri-Berisha”, ka njoftuar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat