Ëndrra presidenciale e Haradinajt kalon në zyrat e kësaj partie

Aktuale

Ëndrra presidenciale e Haradinajt kalon në zyrat e kësaj partie

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 19:15
Ramush Haradinaj

Ka kohë që ka filluar të flitet për emrin e mundshëm rreth pozitës së presidentit të vendit përkundër që Hashim Thaçit ende nuk i ka përfunduar mandati si i pari i shtetit.

Ambiciet për postin e presidentit i ka bërë zyrtare dje kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke shpallur kandidaturën e tij për këtë pozitë.

Kjo bërë që të ngjall shumë reagimet për brenda koalicionit qeverisës por edhe partive të tjera opozitare dhe jo vetëm, reagimet më të mëdha ka pasur nga shoqëria civile që kandidaturën e Haradinajn nuk e kanë mirëpritur.

Ishte fillimisht Partia Demokratike e Kosovës që kundërshtoi hapur kandidimin e Haradinajt duke thënë se nuk është etike që të flitet për një pozitë të tillë derisa Kosova ka presidentin e saj.

Por as NISMA nuk ka pasur qëndrim të mirë karshi këtij lajmi. Endrit Shala deputet i Nismës ka thënë se Kosova ka tash president dhe se kur të vije koha duhen të ulen të gjitha partitë e të vendosi për këtë çështje.

“Kosova ka tash president. Presidenti është. Dihet kur është afati për zgjedhjen e Presidentit. Partitë mund të kenë dëshira që liderët e tyre, anëtarët e tyre të zgjidhen nëpër pozita. Aktualisht Kosova e ka Presidentin. Në momentin që vjen afati për zgjedhjen e Presidentit atëherë liderët politikë të të gjitha partive duhet të ulen dhe të arrijnë marrëveshje se si do të veprojnë me këtë çështje” – është shprehur Shala.

Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës që nga kjo parti “kanë” dalë të gjithë presidentët ende nuk ka pasur një qëndrim për këtë pasi është shumë herët për të diskutuar rreth kësaj çështje, kështu së paku është shprehur deputetja Valentina Bunjaku.

“Për LDK-në nuk është prioritet çështja e zgjedhjes së presidentit. Deri tani nuk është diskutuar për emrin e presidentit. Pa u diskutuar në struktura, nuk do të ketë ndonjë emër. LDK ka shumë emra që mund të jenë kandidat për president, por po iu them që nuk e kemi prioritet për momentin”, ka thënë Bunjaku.

E Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kategorike kundër këtij nominimi saqë disa deputetë e ish zëvendëskryeministri i Kurti, Haki Abazi kanë qenë shumë të ashpër rreth kësaj kandidature.

Por mundësia që Ramush Haradinaj të bëhet president duket se mund të jenë të pakta në rast që nuk ka një marrëveshje paraprake mes partive të mëdha, kështu shprehet njohësi i zhvillimeve politike, Dren Dushi.

“Fillimisht më lejoni të sqaroj një gjë, ka kohë që është proklamuar se Presidenti i ri i Kosovës "kalon ose del nga zyret e LDK-së", e vërteta është shumë ndryshe, Presidenti i ri i Kosovës mund të kaloj vetëm nga zyret e PDK-së apo LV-së (nëse kjo e fundit nuk ndryshon qëndrim). Arsyeja është e thjeshtë, nuk mund të ketë kuorum për zgjedhjen e Presidentit nëse PDK dhe LV nuk duan që të kryhet kjo zgjedhje. Pra kandidatura e Haradinajt për President të Kosovës është totalisht jo serioze, vetëm nëse ky i fundit ka arritur një marrëseshtje paraprake me PDK-në, gjë që unë nuk e besoj të ketë ndodhur", ka deklaruar ai.

Dushi e quan kandidaturën e Haradianajt si jo serioze pasi ende nuk ka ndonjë verdikt rreth ngritjes apo jo të ndonjë aktakuze ndaj tij nga Gjykata Speciale.

“Është kandidaturë jo serioze edhe për arsye se zotëri Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit me arsyetimin se ishte ftuar nga Gjykata Speciale, por si duket kjo ka qenë vetëm një arsye për publikun, teksa arsyet e vërteta dalin të jenë tjera. Pra nuk mund të thuash se po jap dorëheqje nga Kryeministri për shkak të Speciales e të shpallësh kandidaturë për President në kohën kur Speciale ende nuk ka dhënë asnjë verdikt. Për sa i përket nëse është i duhuri apo jo, kjo çështje më së miri duhet të vlerësohet përmes të dhënave të asaj demokracie sado vragjile që kemi, zotëri Haradinaj kryeson vetëm partinë e katërt, dhe se si një promovues i demokracisë nuk mund të them që një njeri pa mbështetje të duhur popullore mund të jetë i duhur për të qenë President i vendit” – shprehet Dushi.

Dushi shton tutje se orkestrimet e pazaret politike janë karakteristikë e skenës politike.

“Orkestrimet dhe pazaret politike janë karakteristikë e kësaj skene politike, dhe këtë më së miri na vërtetoi komploti i LDK-së që rezultoi me një Qeveri e cila po ka vështirësi për të mbajtur Kryeministrinë, e lere të merret me çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Pra zgjedhja e Presidentit nuk do jetë e mundur pa një marrëveshje me PDK-në, dhe nëse kjo marrëveshje ndodhë, atëherë nuk ka asnjë logjikë që PDK të mos e kërkoj postin e Presidentit, që i bie se kandidatura e Haradinajt është jo serioze” – përfundon Dushi për Syrin.

Kurse analisti Krenar Shala më shumë po e sheh si garë inatesh postin e presidentit dhe jo vetëm, për me tepër thotë se kjo epokë shumë shpejt do të përfundojë.

“Çfarë politikanë kemi pasë n'pushtet haj medet për neve! Kena pasë asi politikan si çifti i Ramushit e i Hashimit që kandidon për post të lartë në shtet veq për inati pse ky tjetri u bo. Neve na duhet politikan që kandidojnë për pozita shtetërore me qëllimin që me bo diçka mirë për këtë shtet: ta zëmë për inati që po na sulmon Serbia çdo ditë në mënyrë diplomatike e me forma të tjera të sabotazhit ose politikanë që ju vjen inati se pse një politikan perëndimor ka arrit ta zëmë me ulë papunësinë gjatë mandatit të tij apo nëse ka arrit me e sjellë një investitor serioz në shtetin e tij. Politikan që jonë inatçorë për me bo mirë na vyn, e jo politikanë që për inati që u bo Hashimi kryeministër dy herë edhe unë kom mu bo dy herë; për inati që u bo president 1 herë, edhe unë kom mu bo president 1 herë. Po shyqyr që po mbaron epoka e ktyne politikanve paçavër” – shprehet Shala.

Sipas nenit 27 Zgjedhja e Presidentit të Kosovës 1. Presidentin e Republikës së Kosovës e zgjedh Kuvendi me votim të fshehtë. 2. Presidenti, në mandatin e ri, zgjidhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit. 13 3. Për President të Republikës së Kosovës mund të kandidohet secili shtetas i Republikës, nëse i siguron nënshkrimet e më së paku tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit.

Deputeti mund të nënshkruhet vetëm për një kandidat për President. 4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit. 5. Nëse asnjë kandidat nuk i merr dy të tretat (2/3) e votave në dy votimet e para, zhvillohet votimi i tretë mes dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave në votimin e dytë.

Kandidati që e merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve në votimin e tretë, zgjidhet President i Republikës së Kosovës. 6. Nëse edhe në votimin e tretë asnjëri nga kandidatët nuk zgjidhet President i Republikës, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja për Kuvend mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditëve nga dita e shpërndarjes së Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat