Kandidatura e Haradinajt për president vlerësohet joserioze dhe kalkulim politik - Bota Sot
Kandidatura e Haradinajt për president vlerësohet joserioze dhe kalkulim politik

Aktuale

Kandidatura e Haradinajt për president vlerësohet joserioze dhe kalkulim politik

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 00:03
Ramush Haradinaj

Më shumë se pozitën e kreut të shtetit, AAK-ja po vlerësohet se po e synon përforcimin e saj politik, përmes paraqitjes së hershme të emrit të Ramush Haradinajt si kandidat për president të Kosovës. Kjo veçanërisht në periudhë të brishtësisë së koalicionit qeverisës pas kundërshtimeve të brendshme për procesin e dialogut, si dhe rastin e Karaçevës.

Aleanca publikoi emrin e Haradinajt mbrëmë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të partisë, ndërkohë që ai përmes rrjeteve sociale e konfirmoi gatishmërinë dhe vullnetin për të kandiduar.

“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të Kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, shkroi Haradinaj të mërkurën.

Por, ky veprim i AAK-së po vlerësohet i parakohshëm që ka për qëllim faktorizimin përmes pazareve politike me këtë post.

Gazetari e njohësi i zhvillimeve politike, Imer Mushkolaj, thotë se synimi është që të bëhet presion nga kjo parti dhe kreu i saj, Haradinaj, të paraqitet si një lloj shpëtimtari i Kosovës.

Por, deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, thotë se meqë është afër përfundimi i mandatit të presidentit Thaçi, Kosova duhet ta ketë të gatshëm një emër.

Artan Abrashi nga Vetëvendosje, e ka cilësuar këtë veprim si të parakohshëm dhe ka theksuar se ai ka të bëjë me pazar politik në interes të grupeve të caktuara brenda partive në pushtet.

Edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, vlerëson se është herët të flitet për postin e presidentit, dhe se tani është e panevojshme të flitet për këtë temë.

Mushkolaj, në anën tjetër, konstaton se ky veprim i AAK-së vjen në kohën kur po flitet se PDK-ja mund t’i bashkohet koalicionit qeverisës. Por futjen e PDK-së në koalicion e mohoi deputetja Musliu.

Ktv ka tentuar të marrë një qëndrim nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

Mandati i presidentit Hashim Thaçi skadon në prill të vitit të ardhshëm. Ai mban këtë post prej prillit të vitit 2016.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat