Rreth 2 mijë mjekë kanë aplikuar në konkursin e specializimeve

Aktuale

Rreth 2 mijë mjekë kanë aplikuar në konkursin e specializimeve

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 09:59
Foto Ilustrim

Në konkursin për specializime në mjekësi, kanë aplikuar rreth 2 mijë mjekë. Të dhëna këto që janë bërë të ditura nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Konkurs ky që u plotësua ditë më parë për të ndarë vende edhe për mjekët e Luginës së Preshevës që do të financohen nga Qeveria e Kosovës.

“Nga sekretaria e bordit për shkollim specialistik në këtë konkurs kanë aplikuar 2 mijë aplikime për të tri nivelet e kujdesit shëndetësor. Për kujdesin parësorë shëndetësorë, QKMF, mjekësi familjare dhe aty ku ka mentalitete, për kujdes dytësore dhe tretësor, në spitale të përgjithshme dhe në QKUK dhe profile tjera sipas nevojave. Në stomatologji janë edhe 250 vende që janë me vetëfinancim”, tha Zemaj në një konferencë për media.

Zemaj ka treguar edhe për plotësimin e konkursit që është bërë dy ditë më parë. Ky ndryshim është bërë duke ndarë vende shtesë për nevojat e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, 8 vende për mjekët e Luginës së Preshevës dhe 40 vende tjera në vetëfinancim.

“Ata dy ditëve MSH ka bërë plotësimin e konkursit duke ndarë vende shtesë për nevoja të Qendrës së Transfuzionit të gjakut dhe duke ndarë 8 vende për mjekët nga Lugina e Preshevës dhe 40 të tjera në vetëfinancim duke ndarë gjithsej 48 vende për mjekët që do të punojnë dhe veprojnë në Luginë”, shpjegoi Zemaj.

Ministri Zemaj po ashtu ka deklaruar se për një kohë të shkurtër kanë krijuar horizontin e ngritjes profesionale për mjekët.

“Për një kohë të shkurtër arritëm të krijojmë mundësi reale që mjekëve tonë të krijojmë horizontin e ngritjes profesionale me synimin kryesor që ata të shkollohen dhe aftësohen profesionalisht në Kosovë, ta kenë perspektivën këtu dhe t’i shërbejnë vendit këtu”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat