AGK: Shqetësues dhe i papranueshëm pengimi i ekipit të RTK-së në Zubin Potok

Aktuale

AGK: Shqetësues dhe i papranueshëm pengimi i ekipit të RTK-së në Zubin Potok

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 14:39
Foto

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me shqetësim ka marrë lajmin për ndalimin e ekipit të Radio Televizionit të Kosovës në Zubin Potok nga një grup personash me uniformë të njëjtë ku shihej flamuri i Serbisë.

Ekipi i përbërë nga kameramani Mumin Jashari dhe dy pjesëtarët tjerë Zymer Leci dhe Arben Jashari, edhe pse kishin leje nga KFOR-i që të xhironin në Zubin Potok, ata gjatë ditës së djeshme (13 gusht), në mënyrë tërësisht jo legale janë penguar të xhironin nga këta pjesëtarë, e më pastaj janë përcjellë edhe për në stacionin policor.

“Dje kemi qenë zyrtarisht duke xhiruar Liqenin e Ujmanit. Kemi pasë leje nga KFOR-i dhe Policia për xhirim me dron. Duke filmuar, fillimisht ka ardhë një veturë, i ka kontrolluar targat e automjetit tonë, janë interesuar se kush jemi dhe kanë shkuar. Pastaj kanë ardhë edhe dy vetura me katër persona. Dy prej tyre kanë qenë me një uniformë që shkruante ‘sigurimi’, në gjuhën serbe. Ata kanë fotografuar gjatë gjithë kohës dhe kanë kërkuar që t’i ndërpresim xhirimet. Nuk na kanë lënë të lëvizim dhe kërkonin me presion që me i fshi fotografitë të cilat ia bëra atyre. Na kanë mbajtur aty derisa ka ardhë policia për të na marrë, e që për ekipin ishte një presion i madh. Pas 15 minutave kanë ardhë tre policë serb, të cilëve ua kam treguar lejen për xhirim dhe ID-të. Pastaj jemi shoqëruar për në Stacionin e Policisë në Zubin Potok. E gjithë kjo ndalesë ka zgjatur afro 2 orë derisa Policia e Kosovës pastaj na ka liruar. Tri herë radhazi kam provuar ta lajmëroj redaksinë, por një gjë e tillë nuk më është lejuar.” – ka sqaruar kameramani Mumin Jashari për AGK-në.

AGK vlerëson se veprimet e këtilla ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të medieve që janë në detyrë, përbëjnë presion ndaj tyre. Ndalimi dhe format e tjera të frikësimit kohëve të fundit po shënojnë rritje dhe kjo kërcënon sigurinë e gazetarëve, raportimin e tyre të pavarur dhe lirinë e përgjithshme të medieve në Kosovë.

AGK ka kërkuar nga autoritetet përkatëse që sa më shpejtë t’i identifikojnë këta persona që penguan ekipin e RTK-së për të xhiruar në Zubin Potok dhe të marrin masat adekuate rreth rastit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat