Kërkohet ndryshimi i Ligjit për Specialen, Haradinaj: Nëse ambasadat reagojnë, le të zgjedhin deputetët e vet

Aktuale

Kërkohet ndryshimi i Ligjit për Specialen, Haradinaj: Nëse ambasadat reagojnë, le të zgjedhin deputetët e vet

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 16:33
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, po kërkon ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Sipas tyre, kjo gjykatë duhet të merret edhe me krimet e kryera nga serbët në Kosovë. Për këtë kanë dorëzuar kërkesë në Kuvendin e Kosovës, duke ftuar të gjitha grupet parlamentare për plotësim-ndryshim të amendamentit për hetimin e të gjitha krimeve në Kosovë.

Nënkryetari Nasim Haradinaj të premten tha se deputetët duhet të veprojnë në anën e së drejtës, kështu për të dëshmuar nëse janë qytetarë të Kosovës.

Haradinaj: Ne kërkojmë plotësim-ndryshimin e amendamentit për hetimet e të gjitha krimeve të mundura

"Ne sot iu kemi drejtuar të gjitha grupeve parlamentare po ashtu edhe Listës Serbe, pa përjashtim, sepse ne konsiderojmë se në këtë shtet duhet të jetojmë së bashku. Ndërsa ata tani e kanë radhën të dëshmojnë nëse janë apo jo qytetarë të Kosovës, bashkërisht me të gjitha partitë e grupeve parlamentare tjera. Ne kemi kërkuar që meqenëse po thuhet që nuk mund të hiqet, jo ç’ bërja dhe reagime të tjera, ne kërkuam plotësim amendamentin e ligjit për hetimet e të gjitha krimeve të mundura në Kosovë, për të gjithë njëjtë. Përpos asaj ne kemi kërkuar që nga kjo gjykatë të ketë edhe ajo një dhomë të përfaqësuesve siç e ka ndërtuar në Serbi për këto krime, ta ketë edhe në Kosovë por me adresë, saktësi dhe me lokacion dhe jo të përdoren djemtë tanë duke i quar në zyre ku i kanë gjetur. Në fillim edhe nëpër xhipe dhe kafe", tha ai.

Haradinaj tha se si OVL-UÇK po kërkojnë që gjykata të lejojë një përfaqësues të veteranëve të luftës, në monitorimin e zyrës në Kosovë, për koordinimin e mbrojtjes juridike dhe për të akuzuarit potencial nga Dhomat e Specializuara.

Haradinaj: Nëse partitë shqiptare vendosin sot për sot, dëshmojnë se nuk janë për zbulim të krimeve

“Nëse partitë shqiptare vendosin sot për sot, por edhe serbe, këta dëshmojnë haptas se këta nuk janë për zbulimin e krimeve. Ne nuk kërkuam aty ku hidhet ambasada për zhbërjen, kërkuam për plotësim-ndryshimin dhe unë besoj që çdo njeri normal i rregullt, pa marrë parasysh kombin që e ka, është për zbulimin e krimeve. Kështu që nëse këta me të vërtetë nuk janë ne e kemi atë fjalën tjetër që do e themi më vonë pas reagimit të tyre”, ka shtuar ai.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së tha nëse ambasadat reagojnë në lidhje me këtë kërkesë, deputetët duhet të veprojnë në anën e së drejtës.

Haradinaj: Nëse ambasadat reagojnë, le të zgjedhin deputetët e vet

“Ndërsa, ambasadat nëse mendojnë ashtu që na krijojnë neve, ne nuk duhet të kemi njerëz parlamentar, nuk duhet të kemi deputetë që thirren në votat që përfaqësojnë popullin. Dhe kemi deputetë që nuk janë autonom, nuk guxojnë të vendosin mbi vetën. Mos të mashtrojnë popullin, dhe pastaj ambasadat le t’i zgjedhin deputetët vet edhe provojnë të na bijnë këtu. Unë nuk besoj se ambasadat do të kenë reagim, por nëse kanë jo çdo herë duhet të bëjmë çfarë na thonë ambasada”, u shpreh ai.

Haradinaj tha se nuk janë të informuar nëse Gjykata Speciale do të fillojë me procedime javën e ardhshme, e që sipas tij as nuk e njohin këtë gjykatë.

Ai ka ftuar të gjitha grupet parlamentare që të tregojnë vetën nëse janë për hetimin e këtyre krimeve, meqë tha se nuk janë për gjykatë të njëanshme dhe selektive.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat