Policia heton dyshimet për keqpërdorime të Pakos emergjente

Aktuale

Policia heton dyshimet për keqpërdorime të Pakos emergjente

Më: 17 gusht 2020 Në ora: 21:11
Foto ilustrim

Ishte njëri prej më të zëshmëve, prej atyre që aluduan se kishte keqpërdorime në ndarjen e mjeteve të Pakos Fiskale Emergjente. Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Privatë, pretendon se keqpërdorime ka edhe në transferimin e mjeteve të valës së dytë.

Ai madje po thotë se është intervistuar edhe nga organet e rendit.

Nisjen e hetimeve e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, por përveçqë rasti është duke u hetuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, nuk është dhënë ndonjë detaj tjetër.

“Lidhur me informacionin/rastin në fjalë ju informojmë se janë ndërmarre disa veprime hetimore dhe lënda është duke u hetuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Derisa Ministria e Financave dhe e Transfereve në një përgjigje për KOHËN ka bërë të ditur se procesi i ndarjes së mjeteve nga Pakoja Emergjente do t’i nënshtrohet auditimit.

“Pakoja emergjente fiskale do t’i nënshtrohet një procesi të auditimit, dhe në rast se vërehen parregullsi ato do të adresohen tek organet kompetente. Ministria e Financave inkurajon të gjithë ata që vërejnë parregullsi të pretenduara rreth zbatimit të kësaj pakoje, ato t’i argumentojnë dhe t’i paraqesin tek organet kompetente të drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Ministria e Financave dhe e Transfereve qysh në muajin maj kishte deklaruar se ishte në dijeni të keqpërdorimeve të mundshme të Pakos Emergjente.

Asokohe Ministria kishte deklaruar se kishte informata për përfitime nga kompani të sektorit publik që i futnin punëtorët në listë për t’i marrë 170 eurot e Pakos Emergjente, pa të drejtë. Po ashtu, ata kishin thënë se ishin në dijeni edhe për kompani ‘Call Center’ që i kishin obliguar punëtorët të punojnë nga shtëpia, por, megjithatë, kishin aplikuar për ato mjete.

Pas vonesës shkaku i mosrishikimit të buxhetit, ekzekutimi i mjeteve të Pakos Emergjente ka filluar të hënën e kaluar.

Pakoja Emergjente Fiskale e miratuar në mars nga Qeveria Kurti kap shifrën e 179.6 milionë eurove, kurse qëllimi i saj ishte ndihmesa për qytetarët dhe bizneset e prekur nga COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat