Mandati 5-vjeçar i Gjykatës Speciale në Kosovë përfundon në vitin 2020, por çfarë pritet më pas?

Aktuale

Mandati 5-vjeçar i Gjykatës Speciale në Kosovë përfundon në vitin 2020, por çfarë pritet më pas?

Më: 25 gusht 2020 Në ora: 15:57
Selia e Gjykatës Speciale

Cili do të jetë fati Gjykatës dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës? Kjo pyetje është ngritur vazhdimisht vitet e fundit por në të njëjtën mënyrë dhe është lënë në harresë një përgjigje ndaj saj. Por, nëse deri tani flitej për ndërprerje të mandatit të saj, tashmë jemi në fund të tij. Kjo gjykatë u ngrit me një mandat 5-vjeçar.

Pavarësisht se mandati 5-vjeçar përmendet në amendamentin kushtetues në bazë të së cilit edhe është formuar gjykata, në Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vetë këtë gjykatë. 

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000,  të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty. Disa deputetë dhe Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtuan ngritjen e kësaj gjykate që në krye të herës.

“Libri i Del Ponte dhe Dick Martyt është i sponsorizuar prej shërbimit serb dhe i mbështetur nga shërbimi serb, por dhe nga disa shqipfolës në Kosovë”, thanë nga Vetëvendosja. 

Në dhjetorin e vitit 2017, ishin 43 deputetë të përbërjes së atëhershme të Kuvendit të Kosovës që i përkisnin tri partive politike, përkatësisht, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën. Ato kishin parashtruar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar dy herë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve. Diskutimi për mbarimin e mandatit të kësaj gjykate u rikthye pas aktakuzës ndaj Presidentit Hashim Thaçi. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Ndërkohë që pritet konfirmimi ose rrëzimi i aktakuzës për Presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, dhe zërat kundër shfuqizimit të gjykatës nga personalitete europiane janë shtuar, ky i fundit u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’ua zgjasin mandatin Dhomave të Specializuara në Hagë.

“I kam kërkuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Europian në konsultim me qeverinë e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Më 14 gusht 2020, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës që të ndryshojnë ligjin për Dhomat e Specializuara dhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që njihen si Gjykata Speciale.

Gjatë vitit 2019, mbi 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t'u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar. Në mesin e tyre ka pasur edhe ish-figura të larta të UKÇ-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat