4 ditë nga vrasja e ish-ushtarit të UÇK-së në Drenas, këto janë të rejat e fundit

Aktuale

4 ditë nga vrasja e ish-ushtarit të UÇK-së në Drenas, këto janë të rejat e fundit

Më: 26 gusht 2020 Në ora: 12:25
Drenas

Një rast i rëndë ka ndodhur në mbrëmjen e së shtunës në fshatin Nekovc të Drenasit. Atje u vra 50-vjeçari, Qamil Demiri. I dyshuari kryesor për këtë rast dyshohet të jetë djali i të dënuarit në rastin “Bllaca 2”, Shaban Syla, Leutrimi, që bashkë me disa të tjerë janë arratisur.

Edhe kur kanë kaluar katër ditë nga ngjarja e rëndë të dyshuarit ende nuk janë kapur nga organet e drejtësisë.

Media ka pyetur Policinë e Kosovës nëse ka arrestuar personin/at e dyshuar për vrasjen në fjalë, por kanë thënë se ende nuk ka diçka të re.

E pyetur zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, se a është arrestuar ndonjë i dyshuar ajo ka thënë shkurt “Jo, sapo të ketë diçka të re për rastin ju njoftoj”.

Prokuroria e Shtetit po i ngarkon ata me tri vepra penale: “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

E garanci se të dyshuarit do të dorëzohen në polici ditë më parë dha i burgosuri Shaban Syla, i cili tregoi se ka biseduar me djalin e tij, Leutrimin, duke premtuar se do të dorëzohet në polici, por kjo nuk ka ndodhur.

“Kam biseduar personalisht me Leutrim Sylën dhe ai m’i ka thënë këto fjalë. “Unë nuk kam dashur që ta vras, as nuk e kisha vra kurrë. Më përpara do ta kisha vra vëllain tim se sa atë. Por kam shti në ajër dhe në tokë. E kam lutë të mos ndodhë kjo, por ai duke ia hedhur kokën vëllait e kam gju jo për ta goditur. Si është goditur nuk e di. Ka shtënë dikush me armë. Të gjitha incizimet janë aty. Ne i shprehim nga burgu ngushëllimet më të sinqerta familjes Demiri. Më leht e kam pasë që t’i varrosë dy djemtë e mi sesa djalin e tyre”, kishte thënë Syla.

Policia pasi kishte ndodhur vrasja kishte thënë se “pas një mos marrëveshje në mes tre të dyshuarve dhe katër viktimave meshkuj kosovar, njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri, ku ka plagosur një person, ndërsa viktimat tjera janë të lënduar nga mjetet e mprehta. I plagosuri nga arma e zjarri, nuk u ka mbijetuar plagëve, ndërsa viktima tjera janë jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar gëzhoja”.

Kujtojmë se Qamil Demiri ishte ish-ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat