Koci: Për krimet e shtetit serb në Kosovë duhet Gjykatë Speciale

Aktuale

Koci: Për krimet e shtetit serb në Kosovë duhet Gjykatë Speciale

Më: 26 gusht 2020 Në ora: 20:27
Avokati Arianit Koci

Avokati Arianit Koci ka bërë thirrje që “të krijohet një Gjykatë Speciale për krimet e shtetit serb në Kosovë”.

Ai ka thënë se “për krime në Kosovë – gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, nuk ka as për së afërmi serb të dënuar”.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Koci ka kujtuar se ideatorët e krimeve të tmerrshme të Serbisë në Bosnjë tashmë janë dënuar.

“Gjykata e shkallës së parë e Tribunalit të Hagës në vitin 2017, Mladićin e ka dënuar përveç për gjenocid në Srebernicë, edhe për krime kundër njerëzimit në 15 komuna të Bosnjës dhe Hercegovinës”.

“Partneri i tij në krim, Radovan Karadžić është dënuar poashtu me burgim të përjetshëm, ndërsa kolegu tjetër i tij, Slobodan Milošević ka vdekur në qendrën e paraburgimit në Hagë në vitin 2006”.

Shkrimi i plotë i Kocit:

Krimet e shtetit serb

Krimineli i luftës Ratko Mladić, dje në Hagë, ka prezantuar para gjykatës ku është shqyrtuar ankesa e tij.

Përndryshe, Mladić është i dënuar me burgim të përjetshëm.

Komandanti i Ushtrisë Serbe në Republikën Serbe (1992 – 1995), është përgjegjës për për katër ndërmarrje të përbashkëta kriminale.

Në kuadër të tyre për:

-Gjenocidin e kryer në Srebernicë ndaj 8000 meshkujve;

-Terrorizmin e qytetarëve të Sarajevës, gjatë bllokimit të këtij qyteti;

-Dëbimin dhe kryerjen e krimeve ndaj Boshnjakëve dhe Kroatëve të Bosnjës;

– Planifikimin e kidnapimit të ushtarëve të Kombëve të Bashkuara, të cilet është dashur të shërbejnë si mburojë dhe sigurim që NATO nuk do t’i sulmoj caqet serbe në Bosnje.

Gjykata e shkallës së parë e Tribunalit të Hagës në vitin 2017, Mladićin e ka dënuar përveç për gjenocid në Srebernicë, edhe për krime kundër njerëzimit në 15 komuna të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Partneri i tij në krim, Radovan Karadžić është dënuar poashtu me burgim të përjetshëm, ndërsa kolegu tjetër i tij, Slobodan Milošević ka vdekur në qendrën e paraburgimit në Hagë në vitin 2006.

Sidoqoftë, për krime në Kosovë – gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, nuk ka as për së afërmi serb të dënuar.

Prandaj, duhet të krijohet një Gjykatë Speciale për krimet e shtetit serb në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat