“17 fshatrat e Hazirit”, në çfarë varianti Vuçiq do të pranonte ta jepte një pjesë të Kosovës Lindore?

Aktuale

“17 fshatrat e Hazirit”, në çfarë varianti Vuçiq do të pranonte ta jepte një pjesë të Kosovës Lindore?

Më: 27 gusht 2020 Në ora: 16:26
Lutfi Haziri

Ish-bashkëpartiaku i Lutfi Hazirit, Shpejtim Bulliqi deklaratat e kryetarit të Gjilanit për mundësinë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë po i cilëson tallje me opinionin. Sipas Bulliqit, ideja që Serbisë t’i jepen 17 fshatra të komunës së Leposaviqit nënkupton falje e territorit të Kosovës. Në Luginë thonë se nuk mund të mendohet një paqe e qëndrueshme mes dy shteteve nëse nuk përfshihet edhe çështja e tri komunave atje. Publicisti Shkëlzen Maliqi shpejgon se në çfarë rasti do të pranonte Vuçiqi t’i hyjë këmbimit të territoreve.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar në Bruksel pas 20 muajsh ndërprerje.

Në tavolinën e bisedimeve mes dy shteteve po kërkohet që të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës.

E dikush konsideron se vija kufitare e gjatë 381.6 kilometra mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndryshohet.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se tri komunat Presheva, Bujanoci e Medvegja duhet t’i bashkohen Kosovës, ndërkaq Serbisë t’i jepet Leposaviqi dhe 17 fshatra të tij.

Idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë e ka përkrahur edhe presidenti Hashim Thaçi.

Ai ka deklaruar vazhdimisht se Kosovës duhet t’i bashkohet Lugina e Preshevës por pa ia dhënë ndonjë komunë veriore Serbisë.

Deputeti i Vetëvendosjes dhe ish-bashkëpartiaku i Lutfi Hazirit, Shpejtim Bulliqi, idetë e tilla për korrigjimin e kufirit po i sheh si tallje me opinionin.

Bulliqi i cili ka qenë i zëshëm edhe në kontestin e demarkimit të kufirit me Malin e Zi tha se ideja e Hazirit është njësoj sikur e Thaçit dhe nuk është në favor të Kosovës pasi në çfarëdo situate do të dalë humbëse me sipërfaqe.

“Haziri në vazhdimësi ka mbajtur atë qëndrim, gjë që është e drejtë e tij ta bëjë, por se ai gjatë prezantimit të qëndrimit të tij, njëjtë sikurse presidenti Thaçi, po shpërndajnë mjegull në opinion, sepse nuk po e thonë troç se çka përmban oferta e tyre për shkëmbim/falje territori. Pra pretendimet se kinse kemi të bëjmë me “korrigjim” janë vetëm tallje me opinionin në Kosovë dhe Luginë dhe se nuk kemi të bëjmë me korrigjimin apo kthimin në gjendjen e mëparshme sipas tij, ku kinse bëhet fjalë për 17 fshatra të “dhuruara” të Kosovës. Sipas tij, dhe presidentit Thaçi po që se u realizohet skenari i tyre, do ta ndërronin hartën e Kosovës dhe se Kosova në cilën do situatë do të dal humbëse në sipërfaqe”, tha deputeti i Vetëvendosjes.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, sa i përket idesë për korrigjim kufijsh thotë se në një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të pretendohet për paqe të qëndrueshme nëse nuk përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës në dialog.

“Republika e Kosovës dhe e Serbisë kanë hyrë në një fazë të bisedimeve që synon një marrëveshje përfundimtare të obligueshme ndërkombëtarisht, që duhet të përmbajë njohjen reciproke. Nuk mund të pretendohet paqe e qëndrueshme nëse në marrëveshje nuk do të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës. Kujtojmë që Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar të Luginës së Preshevës, si organi më i lartë politik në Luginë më 14 korrik të vitit 2018 ka nxjerrë Deklaratën Politike përmes së cilës kërkon të respektohet vullneti i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992”, tha Mustafa për Express.

Publicisti Shkëlzen Maliqi idenë për korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë e sheh si zgjidhje të pjesshme pasi sipas tij këmbimi i Luginës së Preshevës me Leposaviqin dhe 17 fshatra do të shkaktonte probleme në rajon dhe më gjerë.

“Shqiptarët janë shumicë dërmuese në Luginën e Preshevës që është pjesë e Serbisë, ashtu sikur që serbët në Leposaviq dhe 17 fshatra janë shumicë dërmuese në Veri si pjesë e shtetit të Kosovës. Edhe për nga madhësia e territoreve bëhet fjalë për shkëmbim të themi përafërsisht të barabartë, shteti i Kosovës do të zgjerohej në lindje, kurse do të tkurrej në Veri. Por, problemi është se ky lloj këmbim ofron zgjidhje të pjesshme që mund të shkaktojë pasoja në politikat ndërkombëtare dhe ndërshtetërore duke u marrë si precedent që hapë Kutinë e Pandorës për problemet e ngjashme edhe më të mëdha jo vetëm në rajon, por edhe gjithandej globit. Për këtë arsye, edhe pse mund të duket si një ndërmarrje racionale dhe marrëveshje fer, është refuzuar nga pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai.

Ish-kryetari i Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, tha mes Kosovës dhe Serbisë asnjëherë nuk ka pasur shkëmbime territoriale siç thotë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Bulliqi tha se Presheva e Bujanoci fatkeqësisht nuk kanë qenë asnjëherë në territorin e Kosovës të dalë pas luftës së dytë botërore.

“Nuk janë në pyetje 17 fshatra të Leposaviqit, por shumë më shumë territor në pjesën veriore të Kosovës. Sa për dijeni, kurrë s’ka pasur shkëmbime territoriale në çfarë po aludon z. Haziri, ndoshta nuk e din ai, pas luftës se dyte botërore, Kosovës si rajon autonom, në raste te ndara (1949 dhe 1950) i janë shkëputur disa fshatra të Gjilanit dhe Kamenicës dhe i janë bashkangjitur / bartur në komunat e Serbisë. Nga viti 1959 pjesë e Kosovës janë bërë 22 – 23 fshatra, përfshirë Leshakun. Këto fshatra me sipërfaqe prej 197km2 i janë bashkangjitur Leposaviqit i cili edhe atëherë ka qenë pjesë e Kosovës, kjo bartje është bërë me vendim politik të organeve të atëhershme dhe nuk ka të bëjë asgjë me fshatrat që janë bartur nga rrethi i Gjilanit dhe Kamenicës. Presheva dhe Bujanovci, fatkeqësisht nuk kanë qenë në territorin e Kosovës së dalë ai rajon autonom pjese e Jugosllavisë pas luftës së dytë botërore”, tha Bulliqi.

Deputeti i VV-së tutje tha se Serbia në asnjë mënyrë nuk do të pranonte që territorin e Luginës së Preshevës ta shkëmbejë me Leposaviqin dhe 17 fshatra.

“Edhe laiku me i madh e di se deklarimet e Hazirit dhe me herët te Thaçit, janë tallje me opinionin, po kush te jep territor(Luginën) me tërë atë territor, Luginën nëpër te cilën kalojnë hekurudha dhe autostrada qe lidhin Serbinë me Greqinë përmes Maqedonisë Veriore,  për 17 fshatra, të cilat fshatra z. Haziri duhet të tregoj se cilat janë ato”, u shpreh Bulliqi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, thotë se vullneti i Referendumit të vitit 1992 të shqiptarëve të asaj ane mbetet bashkimi me Kosovën.

Sipas Mustafës, kufijtë kadastralë të këtyre komunave janë thënë qartë nga liderët politikë të Luginës në rast të bashkimit me Kosovën.

“Ky referendum ishte njëri ndër hapat më të rëndësishëm politik të shqiptarëve të Luginës. Është ky momenti ku banorët shqiptar të këtyre komunave thanë qarët vullnetin e tyre. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si tërësi gjeografike të kishin autonomi politike territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Është e natyrshme që flitet, e disa liderë politikë nga Lugina e kanë thënë edhe qartë për kufijtë kadastralë të këtyre tri komunave. Megjithatë ky mbetet një proces i delimitimit dhe demarkimit brenda një marrëveshje të mundshme duke respektuar gjendjen e tanishme kadastrale në terren”, tha ai.

Në pyetjen se a do të pajtohej hipotetikisht Serbia me idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën në këmbim të dhënies së Leposaviqit dhe 17 fshatrave, publicisti Shkëlzen Maliqi thotë se Aleksander Vuçiq do të pajtohej me humbjen e pjesshme të Luginës dhe marrjen e pjesshme të veriut të Kosovës pasi synon një përfitim më të madh në Bosnje me Republikën Srpska.

“Vuçiqi thoshte se Kosova nuk mund të jetë e vetmja përfituese e procesit, por se duhet të kompensohet edhe Serbia. Në esencë, Serbia e ka pas hallin te legjitimimi i parimit, besoj se do të pajtohej me humbjen e pjesshme të Luginës dhe marrjen e pjesshme të Veriut të Kosovës, sepse synon një përfitim më të madh në Bosnje dhe Hercegovinë, ku sipas parimit të njëjtë etnik do të përfitonin bashkimin me Republikën Srpska, popullsi dhe territore shumëfish më të mëdha se që do të ishte humbja e Luginës së Preshevës. Ky ka qenë skenari i rrezikshëm që e ka tmerruar bashkësinë ndërkombëtare, sidomos Gjermaninë”, u shpreh Maliqi

Ish-anëtari i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, që tashmë është pjesë e partisë së Albin Kurtit thotë se çdo diskutim për prekjen e territorit të Kosovës do të arsyetonte përpjekjen e vazhdueshme të Serbisë që Kosovën ta paraqesë si projekt të dështuar të perëndimit.

“Çdo diskutim për territorin e Kosovës, gjegjësisht copëtimin e saj, rrezikimin e resursit kryesor ujor të Kosovës apo edhe resurseve tjera minerare, është e dëmshme për Kosovën edhe kundër kushtetues sepse Serbia është kah punon kundër Kosovës dhe kundër zhbërjes së saj, pos qe po dëshiron ta zhbëjë Kosovën ajo është kah punon që ta paraqet si projekt i dështuar i perëndimit”, tha Bulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat