Gjykata vendos për djemtë e Shaban Sylës që dyshohen për vrasjen e Qamil Demirit

Aktuale

Gjykata vendos për djemtë e Shaban Sylës që dyshohen për vrasjen e Qamil Demirit

Më: 27 gusht 2020 Në ora: 17:26
Drenas

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Leotrim e Altion Sylës, si të dyshuar për vrasjen e tani të ndjerit Qamil Demiri.

Burime të “Betimi për Drejtësi”, brenda gjykatës së lartpërmendur, bëjnë të ditur se ndaj dy të dyshuarve në këtë rast është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Ndryshe, në kërkesën për caktimin e paraburgimit të bërë nga prokurorja Shemsije Asllani, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Leotrim  Syla, me 22 gusht 2020, rreth orës 18:20, në bashkëkryerje me Altion Sylën, Ilaz Sylën që gjendet në arrati dhe të miturin A.S, në fshatin Nekoc, Komuna e Gllogocit, derisa Mërgim Demiri ishte duke qarkulluar me kamion “Renault”, të mbushur me dhe, afër shtëpisë së tij dhe nga prapa kanë qenë në veturë “VË Golf II”, dy të dyshuarit Altion dhe i mituri A.S, ku që të dy dalin nga vetura duke shkuar në drejtim të vozitësit të kamionit.

Këtë të fundit thuhet se e nxjerrin me dhunë nga kamioni dhe fillojnë ta godasin duke e shtrirë për tokë, ku pas kësaj, të njëjtit largohen për tu kthyer në vendin e ngjarjes me dy vetura “Golf II” dhe veturën “Volvo”, në të cilin ishin Leotrim Syla, i mituri A.S dhe NN personi të armatosur me armën AK-47, për të cilën kanë përdor edhe mjete të mprehta si skallper.

Tutje, thuhet se takohen me viktimat Mërgim Demirin, Malor, Qamil dhe Halil Demirin, ku të dyshuarit fillojnë t’i sulmojnë viktimat me mjete të mprehta si skallper, e tjerë. Ndërsa, i dyshuari Leotrim Syla thuhet se përdor armën e zjarrit AK-47, me qëllim godet viktimën Qamil Demiri, në kofshën e këmbës së djathtë dhe në këmbën e majtë për ta privuar nga jeta me paramendim, ku si pasojë e plagëve të marra,  Qamil Demiri ndërron jetë me të njëjtën datë në orën 19:17, në QKUK në Prishtinë.

Me këtë në kërkesë të paraburgimit thuhet se Leotrim, Altion dhe Ilaz Syla që gjendet në arrati kishin për të kryer veprën penale “vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Tutje, thuhet se tre të lartcekurit, si në dispozitivin e parë në bashkëkryerje me dashje kishin përdorur mjete të mprehta si skallperin, me qëllim që t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit Halil, Mërgim dhe Malor Demirin, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore për të cilat edhe kishin kërkuar tretman mjekësor në QKUK në Prishtinë.

Me këtë thuhet se kishin për të kryer veprën penale “vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, lidhur me nenin 28 dhe me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas kësaj kërkesë, Leotrim Syla në kohë të pacaktuar ka mbajtur në posedim kundërligjshëm armën AK-47, me të cilën armë edhe kishte privuar nga jeta tani të ndjerin, Qamil Demiri.

Me këtë thuhet se kishte për të kryer veprën penale “mbajtja në kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas prokurorisë, kushti i parë nga neni 165, paragrafi 2, nën paragrafi 2.3 dhe 2.4 të KPPK-së janë përmbushur me faktin se ekzistimi i dyshimit të bazuar se të pandehurit Leotrim dhe Altion Syla kanë kryer veprën penale të lartcekur, që argumentohet me nxjerrjen e aktvendimit për fillim të hetimeve nga kjo prokurori, ku është përshkruar koha, vendi dhe mënyra e kryerjes së veprave të dyshuara penale nga të pandehurit.

Tutje, thuhet se kushti i dytë nga neni 165, paragrafi 2.51 të KPPRK-së është plotësuar me faktin se tani të pandehurit kanë kuptuar se kundër tyre ka filluar hetimi, për shkak të veprave penale të dyshuara dhe pikërisht për këtë arsye të njëjtit nga kryerja e veprës penale e deri me 26 gusht 2020 kanë qenë në arrati, për tu mos privuar nga liria.

Edhe kushti tjetër nga neni 165, paragrafi 2.5.2 të KPPRK-së, thuhet se është plotësuar me atë se ka gjasa që të pandehurit përderisa kanë qenë në arrati, kanë ndikuar tek njëri-tjetri për t’i ikur veprës penale, po ashtu mund të ndikojnë edhe te të dëmtuarit- dëshmitarët, të cilët ende nuk janë dëgjuar në prokurori, gjithashtu edhe të njëjtit kanë fshehur prova, si armën AK-47, të njëjtit kanë penguar rrjedhën e procedurës penale duke i fshehur apo ndryshuar provat.

“Kushti tjetër nga neni 165, paragrafi, 2.5.2 të KPPRK-së, për këtë bazë prokuroria kërkon që të caktohet paraburgimit për shkak se duke vlerësuar peshën e veprave penale pasi kemi të bëjmë me një vrasje të rëndë, e cila është e dënueshme jo më pak se dhjetë vite burgim ose me burgim të përjetshëm, ky kusht është i plotësuar për këto arsye: pasi që duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën ose rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, tregojnë rrezikun se ata mund të përsërisin veprën penale të mbetur në tentativë”, thuhet në këtë kërkesë.

Andaj, sipas prokurorisë, duke pas parasysh provat materiale, kushtet dhe rrethanat, me të cilën janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, sjelljen dhe karakteristikat e të pandehurve, kjo prokuroria ka vlerësuar si masë të vetme, e cila do të siguronte praninë e të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprave penale dhe zbatimit të suksesshëm në procedurë penale është paraburgimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat